Vendosni fjalën kyçe....

Po ktheheshin nga Greqia me viça të vjedhur, arrestohen katër persona në Qafë Botë


Policia kufitare e Qafë Botës ka arritur të vërë në pranga katër persona, të cilët dyshohen se po tentonin të fusnin përmes kufirit të gjelbër disa bagëti të vjedhura.

Të arrestuarit janë: Florian Doda, 57 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë; Erjon Bendaj, 38 vjeç, banues në fshatin Gjashtë; Xhulio Doda, 23 vjeç, banues në fshatin Shëndelli, Mario  Doda, 50 vjeç, banues në Sarandë.

Katër personat e lartpërmendur, dyshohen se kishin vjedhur viça në shtetin grek dhe po i sillnin në vendin tonë.

Njoftimi i policisë

Intensifikohen kontrollet nga shërbimet e Policisë Kufitare, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia Kufitare e Qafë Botës kap në flagrancë 4 shtetas, që kishin vjedhur në Greqi disa krerë bagëti të trasha, dhe po tentonin t’i kalonin nëpërmjet kufirit të gjelbër për në Shqipëri.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, Sarandë, gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër, në vendin e quajtur “Katajeto”, Bashkia Konispol, kanë bllokuar disa bagëti (viça), që katër shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, po i fusnin nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek, për në Shqipëri.

Personat e kapur nga Policia Kufitare janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Sarandë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasit F. D., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë; E. B., 38 vjeç, banues në fshatin Gjashtë; Xh. D., 23 vjeç, banues në fshatin Shëndelli, M. D., 50 vjeç, banues në Sarandë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.