Vendosni fjalën kyçe....

Lukashenko: Perëndimi e shtyu Ukrainën drejt kësaj lufte


Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka deklaruar sot se vendet perëndimore e kanë shtyrë qeverinë ukrainase të nisë një luftë.

“Perëndimi i shtyu ata drejt kësaj lufte.”- tha ai në një intervistë me televizionin japonez TBS që u publikua në kanalin YouTube-Belarus-1.

Udhëheqësi bjellorus tha se Kievi vendosi sanksione ndaj Bjellorusisë edhe përpara se Perëndimi ta bënte këtë.

“Ata na mbyllën mundësinë për të fluturuar mbi Ukrainë, që do të thotë se ata mbyllën qiellin, kufizuan të gjitha fluturimet.”- tha ai, citon agjencia e lajmeve ruse TASS.

Sipas presidentit bjellorus, aktivitetet ushtarake në Ukrainë do të përfundonin shpejt nëse Shtetet e Bashkuara do të merrnin një pozicion në favor të paqes, por ai shton se Uashingtoni nuk ka gjasa të bëjë një lëvizje të tillë.

“Lufta mund të përfundojë shumë shpejt nëse ai (e ka fjalën për presidentin e SHBA-ve, Joe Biden) bën një telefonatë, nëse SHBA merr një pozicion në favor të vendosjes së paqes në tokën ukrainase. Megjithatë, ai nuk ka gjasa të bëjë një telefonatë të tillë. Arsyeja është se situata aktuale në Ukrainë është e dobishme për amerikanët. Kjo është ajo që i duhet Amerikës.”- theksoi Lukashenko.

Sipas tij, lufta mund të mbyllet nëse Rusia dhe Ukraina mund t’i japin fund armiqësive duke nënshkruar një marrëveshje ose nëse SHBA, duke urdhëruar autoritetet ukrainase të ndalojnë aktivitetet ushtarake.

Presidenti bjellorus beson se nëse Uashingtoni ndërmerr një hap të tillë, Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera do ta mbështesin atë.