Vendosni fjalën kyçe....

Luigi Soreca: Besimplotë se po largohem nga Shqipëria në prag të çeljes së negociatave


Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ndodhej sot në një takim në Ersekë, të mbajtur në shenjë vlerësimi për punët e bëra nga Bashkimi Europian, duke marrë parasysh se ai do të largohet drejt Brukselit me një detyrë të re.

Gjatë fjalës së tij, Soreca tha se integrimi i Shqipërisë në BE dhe reforma në drejtësi, kanë qenë objektivi i tij kryesor. Ai u shpreh i bindur se po largohet nga Shqipëria në prag të çeljes së negociatave, mundësisht në Qershor.

“Kur arrita në Shqipëri dhe kur fillova punën time ndoshta e mbani mend që ishte e nevojshme që Shqipëria të përmbushte disa kritere, kërkesa që kishin të bënin me sundimin e ligjit, me luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit. Shqipëria bëri përparimet e duhura në këtë fushë dhe për këtë arsye në 24 Mars të 2020 këshilli europian mori vendimin e duhur për Shqipërinë, pra që ishte vendimi për ketë çështje dhe për të gjithë procesin e çeljes së negociatave dhe natyrisht që Shqipëria të bëhej shtet anëtar. Vitin e shkuar në Qershor ishte sërish Këshilli Europian që vendosi që Shqipëria kishte bërë të gjitha hapat e duhur dhe të gjitha këto që nuk kishin ndodhur në vitin 2018. Ishte pikërisht vizita e përfaqësuesit të lartë të BE dhe gjatë asaj vizite ai theksoi faktin ishte shumë e rëndësishme çelja e negociatave me Shqipërinë, i gjithë rajoni është shum i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë dhe kjo për arsye të kërcënimit që na vjen nga gjithçka që ka ndodhur në Ukrainë.

Unë jam besimplotë që po largohem nga Shqipëria në prag të çeljes së negociatave mundësisht në Qershor. Reforma në drejtësi ka patur progres në një mënyrë të atillë sa tashmë ne flasim për konsolidimin e institucioneve të drejtësisë. Unë e njoh gjyqësorin, kjo dhe për shkak të punës sime të mëparshme dhe këto gjëra kërkojnë kohë. Gjërat po ecin kemi institucione të drejtësisë, puna tashmë po bëhet procesi i vetingut do vazhdojë dhe vetëm 2 ditë më parë kemi patur emërimin e gjyqtarit tjetër në gjykatën kushtetuese. Gjërat po ecin, nuk janë si më parë.”– u shpreh Soreca.

Ai po ashtu shprehu besimin se pasardhësi i tij do të bashkëpunojë me forcat politike në Shqipëri dhe do e mbështesë integrimin e vendit tonë në BE.

“Vazhdoj t’i qëndroj mendimit për te mos komentuar zhvillimet e brendshme brenda partive në Shqipëri, vazhdojmë me parimin e mosndërhyrjes. Jam i sigurt që pasardhësi im do të bashkëpunojë me forcat politike në Shqipëri, do të mbështesim integrimin.”-tha Soreca.