Vendosni fjalën kyçe....

“Protestojnë në mes të kryeqytetit si alienë”- Rama për protestat: Nëse vazhdojnë, Putini është në avantazh



Kryeministri Edi Rama në takimin e sotëm me përfaqësues të shoqatave të transportit ka komentuar sërish protestat e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se basti i presidentit rus Vladimir Putin është shumë i qartë dhe se nëse fronti i shpërbërjes demokratike shpërbëhet nga valë protestash, atëherë basti është në avantazhin e tij.

Rama vijoi më tej duke thënë se qytetarët në Tiranë po protestojnë “si alienë” dhe këtë e konsideroi edhe një herë tjetër një akt të turpshëm.

“Basti i atij zotnisë në Kremlin është shumë i qartë që nga dita e parë, aftësia për durim mes atyre që ndjekin atë pas dhe opinioneve publike në botën demokratike.

Sa, kush do ta ketë aftësinë të durojë më shumë. Ndërkohë që ata janë në sanksione dhe bota demokratike nën presionin e çmimeve që rriten.

Nëse fronti i shpërbërjes demokratike shpërbëhet nga valë protestash që mund të ndodhin në afat të caktuar, atëherë basti i tij është në avantazh të tij. Por protesta sa hap e mbyll sytë… dhe mu kujtua sot që kur ne ramë dakord brenda nesh që duhet ta lajmërojmë krizën energjetike dhe unë dola dhe lajmërova krizën energjetike, po këta pas asaj thirrën njerëzit në protestë se do rritej çmimi i energjisë, gjë që unë absolutisht nuk e thashë.

Përkundrazi unë në atë fjalim të parë e kam lënë qartësisht mesazhin se do i mbrojmë familjet, biznesin e vogël. Me vrap, s’ka krizë këtu, por ky do të rrisë çmimin e energjisë. Ja ku jemi sot, dhe nuk është puna se unë as shoh fall, as shoh të ardhmen. Është thjesht çështje informimi, analizash, kryqëzimi opinionesh të njerëzve të fushës, me ekipin tim edhe me këshilltarë apo ekspertë të huaj dhe duke dëgjuar kolegë që drejtojnë vende të tjera në Europë, nxjerr njeriu konkluzione, s’ka nevojë të shohë filxhan. Është e paimagjinueshme që dhe një luftë që po godet planetin, ta shfrytëzosh për nxjerrje kunje se kështu është duke futur njerëzit në një rrugë komplet…dhe duke turpëruar vendin.

E kuptoj, kaluan 10 ditë, 20, një muaj dhe qeveria nuk jep shenjë, por kur qeveria thotë jemi këtu dhe kemi bërë këtë dhe e tregon me fakte si ka ndihmuar familjet, bizneset e vogla dhe pastaj thotë që brenda javës do kemi skenarët për të përballuar këtë situatë me naftë, të vraposh, të dalësh rrugëve dhe ta bësh Shqipërinë, të vetmin vend ku në mes të kryeqytetit protestohet si alienë, është shumë turp.”– deklaroi Rama.