Vendosni fjalën kyçe....

Numërohet ende në 4 bashki, ‘Shtëpia e Lirisë’ kryeson në Shkodër, PS në Lushnjë, Dibër e Durrës. PD e treta


Me Vorën e Rrogozhinën ku rezutatet kanë shpallur fitues kandidatët e PS-së, numërimi po zhvillohet ende në katër bashkitë e mëdha.

Me përjashtim të Shkodrës ku Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë është në avantazh, në tre bashkitë e tjera kandidatët e PS-së janë praktikisht fitues.

Duhet thënë se PD e drejtuar nga Basha ka marrë një rezultat të dobët në këto zgjedhje te pjesshme lokale duke u shkërmoqur nga koalicioni Shtëpia e Lirisë që përbëhet nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së, Lsi e PDK.

Në Shkodër gara është mes Shtëpisë së Lirisë e PD-së kur janë numëruar 148 nga 250 kuti. Bardh Spahia kryeson me rreth 44.6 për qind të votave (12740) përkundrejt Majlinda Angonit të PS-së që ka deri tani 39.7 për qind të votave (11339). Xhemal Bushati i PD-së ka 15.8 për qind të votave (4510).

Në Lushnjë kanë mbetur shumë pak kuti për t’u numëruar duke qenë se janë numëruar 125 nga 157 kuti. Kandidatja e PS-së Eriselda Sefa është praktikisht fituese duke qenë se ka marrë 57.7 për qind të votave (16295). Elton Bano i Shtëpisë së Lirisë ka 31.6 për qind të votave (8932), ndërsa kandidati i PD-së, Indrit Sefa ka 10.7 për qind të votave (3020).

Në Durrës janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive (181 nga 337). Emiriana Sako e PS-së ka aktualisht 57.8 për qind të votave (20755), e ndjekur nga Ardian Muka i Shtëpisë së Lirisë me 28.9 për qind (10379), ndërsa Luan Hoti i PD-së ka 13.3 për qind të votave (4784).

Në Dibër janë numëruar 45 nga 101 kuti. Rrahim Spahiu i PS-së ka tani për tani 63.6 për qind të votave (7556), Premtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë 19.5 për qind (2310, kurse Luan Haka i PD-së 16.5 për qind (1965). Ndryshe nga 5 bashkitë e tjera, në Dibër ka pasur katër kandidatë duke qenë se ka marrë pjesë edhe partia Lëvizja e Re me Dritan Torbën. Ky i fundit ka deri tani 0.4 për qind të votave (45).