Vendosni fjalën kyçe....

INSTAT: 71% e të punësuarve rrinë në punë më shumë se 40 orë në javë, 19% janë të nënpunësuar


Kodi i punës parashikon 40 orë në një jave ku punohet pesë ditë nga 8 orë për ata që punojnë me kohë të plotë.

Por të dhënat e INSTAT tregojnë se, struktura e punësimit në Shqipëri paraqet dobësi në drejtim të orarit pasi një pjesë e madhe rreth 20 për qind punojnë më pak se 30 orë pune në javë dhe një pjesë tjetër mbi 16 për qind punuan mbi 49 orë në javë në vitin 2020. Në vitet normale para 2020, psh më 2017 rreth 20.7% e të punësuarve kanë raportuar se punuan mbi 49 orë në javë.

Pjesa e të punësuarve që punojnë më pak se 30 orë në ditë punojnë kryesisht në sektorin e bujqësisë. Ky sektor i cili është i përqendruar në sezone, ofron punë në disa ditë ndërkohë një pjesë të vitit ato rrinë të papunë.

Punësimi me orë të reduktuara tregon se, gati një e katërta e punonjësve në Shqipëri janë të nënpunësuar e për rrjedhojë kanë të ardhura shumë poshtë mesatares kombëtare.

Analiza të mëtejshme nga institucione ndërkombëtarë tregojnë se, të nënpunësuarit janë më të prirur të emigrojnë se ato që ushtrojnë orë të plota.

Siç shihet nga të dhënat e tabelës gati 71 për qind e totalit të punësuarve në Shqipëri punojnë më shumë se orët e përcaktuara në kodin e punës mi 40 orë në javë. Nga këto 55 për qind punojnë 40-48 orë në javë, ndërsa 16,4 për qind punojnë mbi 49 orë në javë.

Sipas legjislacionit të brendshëm, kohëzgjatja e punës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive ose në kontratën individuale të punës, brenda limiteve të kohës javore maksimale të punës. Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë në ditë dhe 40 orë në javë.

Këshilli i Ministrave përcakton kohëzgjatje javore të reduktuar për punët që paraqesin vështirësi ose që janë të dëmshme për shëndetin. Për punëmarrësit nën 18 vjeç kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 6 orë në ditë.

Nëse rrethanat kërkojnë kryerjen e orëve shtesë të punës, punëdhënësi mund t’i kërkojë punëmarrësit për të kryer orë shtesë pune, për aq kohë sa është e mundur dhe e nevojshme, si dhe duke marrë parasysh kushtet vetjake dhe familjare të punëmarrësit. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer 48 orë pune në javë. Orët shtesë nuk mund të kalojnë limitin prej 48 orësh në jave dhe 200 orësh në vit.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, koha më e gjatë e punës është në sektorin e prodhimit, me 45.8 orë; tregti, Transport, Hoteleri, Shërbime të Biznesit dhe Administrative, me 44. 8 orë. Në ndërtim, puna zgjat 42.7 orë gjatë një jave. Më pak në vend punojnë punonjësit e shtetit, me 39.8 orë.

Orët e gjata të punës nuk prodhojnë fitime më të larta për punonjësit. Të dhënat e krahasueshme rajonale që i takojnë vitit 2019 tregojnë se, Shqipëria ofron paga me diferencë gati 30% për të gjitha profesionet kryesore./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor