Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet deri në orën 15:00, Celibashi: S’ka problematika domethënëse, dëbora anulon votimet në 3 QV në Shkodër


Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka dalë në një tjetër deklaratë ku foli mbi procesin zgjedhor në 6 bashkitë e vendit.

Ai tha se në përgjithësi procesi po vijon normalisht me disa problematika të vogla. Kreu i KQZ tha se nuk është e mundur të zhvillohet votimi në dy fshatra të Shkodrës, atë të Shoshit dhe Pultit. Kjo ka ardhur si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës që e kanë bërë të pamundur dërgimin e komisionerëve në qendrat e votimit.

Në disa qendra votimi ka pasur ankesa për grumbullime të njerëzve të paautorizuar.

Problematikat gjatë procesit zgjedhor

Celibashi tha se në disa qendra ka pasur raportime nga partitë, që kanë thënë se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar.

 “Në lidhje me votimin elektronik, vetëm në pesë qendra votimi nuk ka pasur operatorë, pra identifikimi është bërë përmes listës së zgjedhësve të printuar. Në 15 qendra të tjera është bërë zëvendësimi i pajisjes së identifikimit elektronik. 75% e qendrave të votimit janë hapur në orën 07:00, 25% janë hapur deri në orën 07:30.

Pra, në 07:30, sipas raportimit që ka KQZ, të gjitha qendrat janë të hapura. Kemi bërë verifikime në terren të situatës në qendrat e votimit dhe në përgjithësi nuk raportohen problematika sinjifikative. Ka disa probleme që lidhen me mënyrën e procesit të votimit. Në disa qendra kemi pasur raportime nga partitë, që kanë thënë se ka pasur grumbullime të njerëzve të paautorizuar. Kemi komunikuar dhe na kanë raportuar se situata është kthyer në normalitet. Ju bëj thirrje partive politike të mos përfshihen në deklarime publike, që thyejnë heshtjen zgjedhore.”– tha Celibashi.

Zgjedhjet të pavlefshme në 3 qendra votimi në Shkodër

Nuk është e mundur të zhvillohet votimi në dy fshatra të Shkodrës, atë të Shoshit dhe Pultit. Kjo ka ardhur si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës që e kanë bërë të pamundur dërgimin e komisionerëve në 3 qendra të votimit.

Lidhur me këtë Celibashi u shpreh se “Situata ka qenë shumë e vështirë, në kushte ekstreme atmosferike dhe nuk ja vlente barra qiranë të rrezikonin jetën e të shkonin komisionerët atje. Edhe në këmbë e kishin të vështirë të shkonin. Në tre qendrat e votimit në Shkodër nuk është zhvilluar procesi i votimit, por duhet parë në fund nëse do të shpallen zgjedhjet të pavlefshme aty”.

Votimi elektronik në Vorë

Kreu i KQZ tha se ka parë dhe vetë nga afër këtë proces,të cilin e konsideroi një proces model.

“Në lidhje me Vorën, si nga raportimet që administrata e KQZ ka marrë, por gjykuar dhe nga ajo që pashë vetë, procesi i votimit aty ishte duke shkuar normalisht.

Sa i përket mungesës së komisionerëve të PD, do të gjejë trajtimin ligjor. Votimi në pesë qendrat e votimit atje, që unë e pashë, mund ta përkufizoj si model. Nuk kishte problematika.”- tha Celibashi.

Në ç’rast kur mund të përsëriten zgjedhjet

Celibashi sqaroi se zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë bashkinë vetëm nëse diferenca mes fituesit dhe kandidatit të dytë në garë është më i vogël se numri i zgjedhësve në këto qendra votimi.

“Sipas asaj që përcakton Kodi Zgjedhor nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në disa qendra votimi dhe nëse numri i votuesve në këto qendra votimi është më i madh se diferenca mes kandidatit fitues dhe kandidatit të dytë në garë atëherë zgjedhjet shpalljen të pavlefshme në të gjithë bashkinë dhe përsëriten.

Kjo ngelet për t’u parë në aspektin numerik, por dhe substancial pse këto zgjedhje po shpallen të pavlefshme.”- shpjegoi Celibashi.