Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania: Rusia do përballet me izolim të mëtejshëm nëse Putini vijon luftën


Gjermania paralajmëroi Rusinë sot se do të përballet me izolimin global ekonomik dhe politik nëse nuk e ndalon luftën e saj kundër Ukrainës.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha në një deklaratë përpara mbledhjes së ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel se veprimet e fundit të presidentit rus Vladimir Putin tregojnë se ai dëshiron të marrë kontrollin e plotë të Ukrainës.

“Nëse ai vazhdon në këtë kurs, ai duhet të presë një përgjigje të unifikuar dhe izolimin ndërkombëtar të Rusisë”, theksoi Baerbock duke shtuar se vendet perëndimore do të zbatojnë në mënyrë strikte sanksionet politike dhe ekonomike të miratuara së fundmi.

“Me luftën e tij kundër Ukrainës, presidenti Putin po shkatërron gjithashtu vendin e tij”, tha ajo.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar ndërsa Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 249 civilë e kanë humbur jetën ndërsa 553 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.

Në raundin e dytë të bisedimeve të paqes midis Moskës dhe Kievit të enjten, të dy palët ranë dakord për formimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve dhe për dërgesat e ushqimit dhe ilaçeve.