Vendosni fjalën kyçe....

Pas sanksioneve të ashpra, Rusia vendos të organizojë eventet e veta sportive ndërkombëtare


Ministri rus i Sportit Oleg Matytsin i ka konsideruar “të papranueshme” sanksionet e vendosura nga federata të ndryshme ndaj Rusisë dhe thotë se pavarësisht kësaj, do të punojnë në zhvillimin e garave të veta në Rusi me atletë ndërkombëtarë.

Rusia u godit nga një tjetër ndalim sportiv të enjten kur Komiteti Ndërkombëtar Paralimpik (IPC) njoftoi se atletët rusë dhe bjellorusë do të ndaloheshin nga Lojërat Dimërore të Pekinit 2022.

Ministri rus i Sportit tha se Rusia nuk ishte plotësisht e izoluar pavarësisht përpjekjeve të disa federatave.

“Në të ardhmen e afërt, do të zhvillohet një program për një sistem garash në territorin e Federatës Ruse me pjesëmarrjen e numrit maksimal të atletëve të huaj.”– tha Matytsin, sipas TASS.

“Nuk jemi të izoluar, vazhdojmë kontaktet me federatat ndërkombëtare. Shpresojmë që këto janë masa të përkohshme dhe se arsyeja do të mbizotërojë dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar do ta kuptojë se ndarja që po ndodh tani është e papranueshme. Sporti duhet të veprojë si një nga drejtuesit e diplomacisë dhe rikthimit të vlerave njerëzore.”- shtoi Matytsin.

Komiteti Olimpik Rus ka reaguar ndaj masës së fundit të sanksioneve sportive, duke theksuar se ndalimet “shkelin rëndë parimet e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare”.

Sipas deklaratës, sportistët rusë po diskriminohen në bazë të kombësisë dhe shtetësisë.

“Si rezultat i vendimeve të marra, mijëra atletë rusë janë aktualisht të privuar nga mundësia për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare thjesht sepse janë shtetas të Federatës Ruse.”– thuhet në reagim, shkruan RT.

Komisioni i Atletëve të ROC ka shkuar aq larg sa i ka quajtur sanksionet anti-ruse një “gjenocid sportiv“.