Vendosni fjalën kyçe....

Duka i bindet Gjykatës, shtyn zgjedhjet për Presidentin e FSHF-së


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është tërhequr nga zhvillimi i garës për drejtimin e qeverisë shqiptare të futbollit duke lajmëruar shtyrjen e saj nga data e parashikuar më 2 mars. 

Lajmërimin Duka e ka bërë në rrjetet sociale duke thënë se në mbledhjen e Asamblesë do propozojë që zhvillimi i zgjedhjeve për President të zhvillohet në një datë tjetër. 

Duket se vendimi i Gjykatës së Tiranës, siç thotë dhe Duka, ka bërë që të shtyhen zgjedhjet. 

Mes Armand Dukës dhe Erion Veliajt u zhvillua një debat i fortë kur zgjidheshin asamblistët për Shoqatën Rajonale të Tiranës.

Postimi i plotë

Të nderuar miq,

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 2 mars 2022, me një rend dite siç e parashikon Statuti i FSHF-së: miratimin e bilancit financiar, miratimin e buxhetit, miratimin e raporteve të auditorëve të pavarur dhe zgjedhjet për organet drejtuese, për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme.

Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asambles që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër.

Uroj që kjo periudhë t’i shërbej një procesit të rregullt statutor dhe gjithë kandidatëve për të shpalosur platformat e tyre përballë komunitetit të futbollit.

Armand Duka