Vendosni fjalën kyçe....

FMN- qeverisë shqiptare: Boll projekteve të pakërkuara me PPP


Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon nga qeveria shqiptare që të ndalë me propozimet e pa kërkuara për shërbimet publike, përmes PPP-ve.

Në një prononcim për “News 24”, shefi i misionit për Shqipërinë, Jans Kees Martijn, kërkoi që qeveria të vendosë prioritetet lidhur me investimet publike.

” Në vitet e fundit Shqipëria është mbështetur gjithnjë e më shumë në përdorimin e PPP-ve për të financuar nevojat e veta për investime dhe për të ofruar shërbime publike. Duke qenë se stoku i PPP-ve vazhdon të rritet, është e rëndësishme që qeveria të ekuilibrojë oportunitetet dhe rreziqet që PPP-të sjellin, jo vetëm në vitin aktual buxhetor, por për gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. Ne jemi të inkurajuar që me ndryshimet e fundit në ligjin e PPP-ve, Ministria e Financave do të ketë një rol më vendimtar në monitorimin e rreziqeve të PPP-ve përpara se ato të nënshkruhen, por edhe gjatë kohës së zbatimit. Do të jetë shumë e rëndësishme që Ministria ta ushtrojë plotësisht këtë përgjegjësi të re për të mbrojtur financat publike.

Pa hyrë në detajet e projekteve individuale, ajo që ne shohim është nevoja për të pasur një kuadër më të integruar për investimet publike. Kjo do të thotë që duhet të jetë qeveria ajo që e vendos axhendën e prioriteteve të saj bazuar në strategjitë kombëtare dhe sektoriale, si dhe që nevojat për investime janë prioritizuar si brenda të njëjtit sektor ashtu dhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe që projektet janë vlerësuar bazuar në një set kriteresh të qarta dhe i janë nënshtruar një analize të vlerës (që sjellin) për paratë (e investuara). Aktualisht, PPP-të nuk i nënshtrohen të njëjtit procesi dhe nuk janë të harmonizuara me ciklin buxhetor, si projektet e tjera të investimeve.

Për më tepër, mbështetja e tepërt në propozime të pakërkuara do të thotë që disa projekte mund të zënë hapësirën buxhetore në të ardhmen pa iu nënshtruar procesit të prioritizimit më parë. Kufizimi i hapësirës për përdorimin e propozimeve të pakërkuara në të ardhmen është një zhvillim i dobishëm. Në mënyre ideale, qeveria duhet të bazohet gjithmonë në një proces prokurimi të hapur dhe konkurues.”, tha Martijn.

Mes të tjerash Martinj tha se një mision i FMN-së do të vizitojë Tiranën përsëri në nëntor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *