Vendosni fjalën kyçe....

“Mercenarë shqiptarë në Ukrainë” – Majko i përgjigjet ministrit rus: Deklaratë e paprecedentë


Pandeli Majko ka reaguar lidhur me deklaratat ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë dërguar në rajonin e Donbass, të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë e quan këtë deklaratë të Lavrovit të paprecedentë ndërsa shton se Ambasada Ruse në Tiranë duhet të japë shpjegime për këtë deklaratë.

Ai ka publikuar një kronikë të kanalit televiziv WION të Indisë, ku flitet për përkatësinë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar përmes rrugëve zyrtare për të ndihmuar Ukrainën: Këtu përmenden SHBA, Gjermania, Serbia, Spanja e Gjeorgjia etj,…  Shqipëria madje edhe India. Në kronikë thuhet se ka aplikime përditë për t’u bashkuar me forcat ukrainase dhe për të luftuar krah tyre.

“Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse ka bërë sot një deklarim të paprecedentë për ‘mercenarë’ shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë. Përpara se Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë të japë shpjegime (në se do ta bëjë)… Kanali Televiziv WION i Indisë ka bërë një kronikë të veçantë për ‘hartën’ e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën. Njeriu i mençur e bën menjëherë atë çfarë budallai e bën në fund! (Makiavel).”- shkruan Majko.

Në kronikën e publikuar nga Majko flet edhe një luftëtar nga Shqipëria i cili tregon se vjen nga një familje luftëtarësh dhe se ndjen detyrim të ndihmojë Ukrainën, për shkak të historisë që shqiptarët e Kosovës kanë përjetuar në luftën me Serbinë.

Konflikti në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të mbajë të mbërthyer opinionin publik, teksa ushtria ruse ka paralajmëruar një tjetër stërvitje të madhe ditën e nesërme.