Vendosni fjalën kyçe....

Deklarata e fortë e Berishës: Drejtorë të ministrive po vërshojnë këto ditë drejt Peshkopisë me makinat e shtetit, janë kriminelë elektoralë, fotografojini


Pasditen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha pati një takim me banorët në Kalanë e Dodës në Dibër, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Premtim Kryemadhi.

Gjatë fjalimit të tij, Berisha ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me procesin zgjedhor, duke thënë se me dhjetëra drejtorë të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Transportit po shkojnë në Peshkopi me makinat e shtetit për të kërkuar vota. Ai u bëri thirrje dibranëve që t’i fotografojnë dhe denoncojnë ata.

“Këto ditë, dhjetëra drejtorë të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve Publike vërshojnë drejt Peshkopisë me veturat e shtetit, me naftë të paguar nga shteti, në kundërshtim të ligjit elektoral. Çfarë janë këta? Janë kriminelë elektoralë që të gjithë. Prandaj ju ftoj t’ua fotografoni targat e makinave, t’i fotografoni vetë, vendi i tyre nuk është në fushatë sipas ligjit, por t’i shërbejnë qytetarëve.”- tha Berisha.