Vendosni fjalën kyçe....

Pse nuk sekuestrohet serveri i inceneratorit të Elbasanit?


Komisioni hetimor i ngritur në Parlament për Inceneratorët por dhe SPAK-u ende nuk kanë kërkuar sekuestron dhe zbërthimin e serverit të inceneratorit të Elbasanit.

Por pse kjo është e rëndësishme? Siç deklaron edhe vetë kompania “Albtek Energy” në faqen e saj zyrtare, në server ndodhen të dhënat e plota për disa procese të rëndësishme që japin ndihmë kolosale në zbulimin e abuzimeve dhe eficencës.

“I gjithë funksionimi i impiantit kontrollohet nga një sistem automatik, pra sistem i kontrolluar nga kompjutera që monitorojnë dhe operojnë procese industriale reale. Një aspekt i rëndësishëm i këtyre sistemeve është transferimi i të dhënave në kohë reale nga pajisjet që duam të kontrollojmë te një kompjuter qendror, i quajtur ndryshe server (DCS).”- thotë kompania ndërsa sqaron Automatizimin (kliko këtu).

Në server ndodhen këto të dhëna:

  1. Sasia ekzakte e mbetjeve të procesuara dhe intervalet kohore të procesimit;
  2. Sasia ekzakte e hirit të prodhuar dhe avullit të prodhuar;
  3. Sasia ekzakte e energjisë elektrike të prodhuar;
  4. Intervalet kohore ekzakte se kur është ndezur dhe kur është fikur ky incenerator dhe sa minuta ka qëndruar në punë, në cikël të pjesshëm ose te plotë.

Pasi sigurohen këto të dhëna ato janë lehtësisht të krahasueshme me intervalin e dizbursimit të miliona eurove fonde nga buxheti i shtetit duke e bërë krejt të thjeshtë shqyrtimin e asaj që ka ndodhur.

“Përveç kontrollit në kohë reale të pajisjeve, sistemi mund edhe të magazinojë vlerat në sisteme bazash të dhënash në mënyrë që të mund të bëhen analiza trendi ose forma të tjera auditi.

Nëpërmjet sistemit, shumë operacione mund të automatizohen në mënyrë që të mos jetë e nevojshme ndërhyrja e operatorit. Mund të vendosen vlera alarmante për procese të ndryshme dhe më pas mund të përcaktohet linja e veprimit kur këto alarme të verifikohen. Ne impiant pothuajse çdo proces kryhet në mënyrë automatike nga sistemi, pra kemi të bëjmë në këtë rast me një sistem që vetërregullohet.”– shpjegon kompania Albtek Energy”.

Aktualisht ky incenerator është në administrim shtetëror. Të dhënat e serverit janë të patjetërsueshme pasi programimi është strikt.

Kujtojmë se hetimet e SPAK-ut për aferën e inceneratorëve kanë nisur prej muajsh dhe aktualisht ndodhet pas hekurave ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, si dhe është vendosur masa e “arrestit me burg” edhe për pronarët e kompanive të cilët janë në kërkim: Klodian Zoto, si ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë “Integrated Technology Services”, si dhe Stela Gugalli, ortake e vetme dhe administratore e kompanisë “Albtek Energy”.

Që në tetor të vitit të shkuar në Parlament u ngrit Komision Hetimor përçështjen e inceneratorëve, por ende nuk ka kërkuar sekuestron dhe zbërthimin e serverit të inceneratorit të Elbasanit./Hashtag.al