Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi pas deklaratave të Bashës në Parlament: Ato që tha ai sot unë i kam ekspozuar para një viti dhe i kam çuar provat në SPAK


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha në Kuvend, lidhur me aferën e inceneratorëve.

Kryemadhi shprehet se faktin që Basha e përmendi sot në Parlament, ajo e kushte ekspozuar që prej një viti dhe e ka denoncuar me prova në SPAK.

Kryetarja e LSI-së shprehet se deputeti socialist Alqi Bllako, bashkë me ish-ministrin Koka, nuk janë personat e vetëm të përfshirë në këtë aferë por edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama dhe të tjerë ministra.

Ajo thekson se topi është në anën e SPAK-ut.

“Sot një deputet i Kuvendit paska përmendur se babai i deputetit të PS Alqi Bllako, është punësuar me pagë 10 milionë lekë në muaj tek inceneratori i Tiranës.

Fakt ky, që unë e kam ekspozuar para 1 viti, në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, në datë 3 Mars 2021 (https://youtu.be/ywbDsYXBGD4), si dhe e kam denoncuar me prova në SPAK.

Deputeti në fjalë dhe deputetja tjetër, që drejton komisionin hetimor, le të merren me përgjegjësinë penale të Erion Veliaj, nëse e kanë kaq seriozisht zbardhjen e aferës. Kryetarit të bashkisë që ka shpërdoruar detyrën duke lidhur taksat e qytetarëve të kryeqytetit për 30 vjet me koncesionin e inceneratorit të Qarkut Tiranë, pa marrë vendimin e Këshillit Bashkiak, ndryshe nga çfarë parashikon ligji i vetqeverisjes vendore.

Ose, nëse kanë lidhur një 17 Maj të dytë, që përmes komisionit hetimor të gënjejnë publikun dhe t’i bëjnë presion SPAK, le ta deklarojnë publikisht.

Koka nuk ishte koka e inceneratorëve. Bllako e ka padinë me emër nga LSI për rolin e tij dhe pagën e babait. Ashtu edhe Rama, Veliaj, Subashi, e ministrat rilindas të përfshirë.

Asnjë kompromis të nëndeshëm nuk do mund të amnistojë përgjegjësit dhe të varrosë të vërtetën! Ajo do jetë edhe më publike, edhe më e qartë! Topi në fushën e SPAK…”- shkruan Kryemadhi.