Vendosni fjalën kyçe....

‘Persona që lindin’ në vend të ‘gra që lindin’ – Hulumtimi thekson ndikimin negativ që ka ndryshimi i gjuhës


Gjuha gjithëpërfshirëse dhe e ‘deseksizuar’, e cila është përshtatur nga disa institucione të mëdha perëndimore të kujdesit shëndetësor si një nxitje për njerëzit transgjinorë, mund të ndikojë në mirëqenien e grave dhe fëmijëve në një mënyrë shumë negative, paralajmëron një ekip ndërkombëtar ekspertësh.

Sipas hulumtimit të kryer nga shkencëtarë nga Australia, SHBA, Evropa dhe Azia, dhe që do të publikohet këtë javë, përdorimi i përgjithshëm i termave të tillë si ‘personat që lindin’ në vend të ‘gratë lindëse’ ose ‘ushqyerja me qumësht të njeriut’ në vend të ‘ushqyerjes me gji’ jo vetëm që e vë në rrezik lidhjen nënë-fëmijë dhe minon ushqyerjen me gji, por gjithashtu mund të ndikojë në diskriminimin e mëtejshëm të grave.

“Deseksimi i gjuhës së riprodhimit femëror është bërë me synimin për të qenë i ndjeshëm ndaj nevojave trangjinorë, i sjellshëm dhe gjithëpërfshirës. Megjithatë, kjo mirësi ka sjellë pasoja të paqëllimta që kanë ndërlikime serioze për gratë dhe fëmijët,” shkruajnë ekspertët në punimin e tyre, të quajtur “Komunikimi efektiv për shtatzëninë, lindjen, laktacionin, ushqyerjen me gji dhe kujdesin për të porsalindurin: rëndësia e gjuhës gjinore”, shkruan gazeta Sydney Morning Herald.

Ndërsa autorët e raportit, që do të publikohen në ‘Frontiers in Global Women’s Health’, mbështesin vetë idenë e respektit dhe gjithëpërfshirjes, ata paralajmërojnë për një ‘kosto të lartë’ të ‘dehumanizimit’ të grave dhe, për rrjedhojë, rekomandojnë përdorimin e termave ‘deseksues’ vetëm mbi baza individuale, ‘aty ku është e mundur’.

Një bashkëautore e hulumtimit dhe ish-presidente e Kolegjit Australian të Mamive, Jenny Gamble, shpjegoi se gjuha neutrale ndaj gjinisë mund të çojë në diskriminim më të thellë ndaj grave.

Ajo nënvizoi se duke qenë se shtatzënia, lindja dhe amësia e hershme janë ‘çështje thelbësisht gjinore’, gratë shtatzëna, gratë që po lindin dhe nënat e reja kanë ‘vulnerabilitete unike’ dhe meritojnë mbrojtje.

Ngatërrimi i idesë së identitetit gjinor dhe realitetit të seksit rrezikon pasoja të pafavorshme shëndetësore dhe diskriminim më të thellë dhe më tinëzar ndaj grave, tha Gamble, cituar nga një gazetë australiane.

Përdorimi i gjerë dhe ndonjëherë i pamenduar i termave neutralë ndaj gjinisë ka shkaktuar tashmë disa skandale të profilit të lartë.

Në shtator të vitit të kaluar, një revistë e njohur shkencore ‘Lancet’ iu desh të kërkonte falje për seksizmin pasi shprehja ‘trupa me vagina’ ishte shfaqur në faqen e saj të parë.

Në dhjetor, Kolegji Mbretëror i Mamive në Mbretërinë e Bashkuar u detyrua të kërkonte falje pasi i quajti nënat ‘njerëz pas lindjes’ në udhëzimet e tij për ‘gjumin më të sigurt’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani