Vendosni fjalën kyçe....

Investigimi që zbuloi lidhjen e Ëngjëll Agaçit me gjeneralin italian


Ish-Gjenerali i Guardia di Finanza-s, Fabrizio Lisi është arrestuar në Itali ditën e sotme. Një lajm ky i cili ka qenë i paralajmëruar që në Mars të vitit 2021, nga gazetarja Lindita Çela. Kjo e fundit përmes një shkrimi të botuar në OCCRP zbulonte edhe lidhjet e Lisit me Sekretarin e Përgjithshëm të kryeministrit Rama, Engjëll Agaçi (Lexo shkrimin origjinal në anglisht).

Pas arrestimit të Lisit ditën e sotme, gazetarja Lindita Çela kujton ndërhyrjet e vitit të kaluar për të mos e lejuar atë të botonte investigimin e saj, ndërkohë që sot lajmi për arrestimin e Lisit ka marrë dhenë.

“Në Itali është arrestuar, një ish prokuror, dhe në arrest shtëpie një ish gjeneral që ka fort lidhje në Shqipëri. Hetimet deri më tani në vendin përtej Adriatikut, sa unë di, nuk janë fokusuar hiç tek punët e tij në Shqipëri, dhe shoh që lajmi këtu ka marrë dhenë, por kujtoj se, aso kohe kur ky shkrim u botua, të shumtë ishin ato që e fshinë, po po aq të shumta ishin edhe ndërhyrjet mos me e botuar. Kjo sa për t’i vënë pikat mbi i euforisë së këtushme.”– shkruan Çela.

Lidhjet e Agaçit me Lisin:

Në artikullin e përmendur, Çela zbulon rolin e Ëngjëll Agaçit në investimet e shoqatës kulturore që drejtohej nga ish-gjenerali i Guardia di Finanza.

OCCRP kishte siguruar dokumente që tregojnë se si një fondacion bamirësie i udhëhequr nga një polic i lartë financiar italian, dhe i këshilluar nga një avokat që do të bëhej njeriu i djathtë i Ramës, arritën një marrëveshje me figurën e botës së krimit.

“Fondacioni Luca dhe Marco Eftimiadi u krijua në 2013 për të rimarrë tokat në qytetin shqiptar të Vlorës që familja Eftimiadi la pas kur emigruan në Itali në fillim të shekullit të 20-të.

Por kur Fabrizio Lisi, një oficer i lartë i policisë financiare italiane dhe president i bordit të fondacionit dhe Engjëll Agaçi, një avokat që u bë këshilltari më i lartë i Ramës në 2013, zbuluan se toka stërgjyshore ishte pushtuar në mënyrë të paligjshme, Lisi vendosi të heqë dorë nga familja dhe negocioi me uzurpatorët.”– thuhet në shkrim.

Mes të tjerash, thuhet se: “Lisi dhe një anëtar i bordit i quajtur Giampaolo Polverini thanë se Agaçi rreshti së luajturi rol negociator “pasi u fut në qeverinë Rama në vitin 2013. Një tjetër anëtar i bordit të fondacionit, një ish-diplomat italian me emrin Eugenio Campo, i tha OCCRP se Lisi dhe Agaçi vazhduan të mbajnë lidhje në çështjet që lidheshin me fondacionin edhe pasi Agaçi mori postin e nivelit të lartë në kryeministri. Alessandro Bernadini, që u punësua nga Lisi për të zhvilluar tokën në breg të detit shkon edhe më tej. Ai i tha OCCRP se ‘Lisi nuk bënte dot asnjë lëvizje nëse Agaçi nuk i jepte leje atij’.”

Hetimi ndaj Fabrizio Lisit, u paralajmërua edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste më 25 dhjetor të vitit të kaluar. Berisha shprehej se ka një hetim në një nga vendet fqinje të Shqipërisë për zëvendës-kryeministrin e qeverisë Rama Arben Ahmetaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm Engjëll Agaçi, ndërsa po fliste me gazetarin Arian Çani për inceneratorët.

 “Ka mandat arresti nga një vend mik dhe për Arben Ahmetajn. Nga një vend këtu pranë. Për pastrim parash. Nuk është nga INTERPOL-i. Fondi për djegësin nuk është krijuar nga Lefter Koka por nga Edi Rama dhe Arben Ahmetaj. Ka një mandat arresti edhe për Engjëll Agaçin nga një vend mik. Nuk është nga Interpol. Një gjë është e sigurt. Në djegësa një strumbullar absolut është Ëngjëll Agaçin. Ky është njeriu i të gjitha Ka qenë në bordin e ARMOS, është arkitekt i mbylljes së dosjeve.”– ishte deklarata e Berishës asokohe.

Mediet italiane raportuan sot se ish-Gjenerali i Guardia di Finanza-s, Fabrizio Lisi është mes 5 të arrestuarve. Veprat për të cilat akuzohen janë korrupsioni për ushtrimin e funksioneve, korrupsioni për një vepër në kundërshtim me detyrën zyrtare, korrupsioni në aktet gjyqësore dhe nxitja e padrejtë për të dhënë ose premtuar përfitime.