Vendosni fjalën kyçe....

Kosova miraton vendimin, rrit çmimin e energjisë


Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar të martën tarifat e reja për energji elektrike.

Departamenti për Tarifa në ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat për orë në muaj.

“Të gjithë konsumatorët komercialë dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë do të kenë zero rritje”, është thënë në takim, duke përmendur se rreth 20 për qind e konsumatorëve e tejkalojnë këtë konsum.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Sipas ZRRE-së, bllok-tarifa nuk është diskriminuese pasi “zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë konsumatorët”.

Për bizneset nuk do të ketë blloqe tarifore.

Për të lehtësuar barrën e qytetarëve nga rritja e pritshme e çmimit të rrymës, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi për ta.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Muajve të fundit, Kosova është futur në krizë energjetike, si pasojë e krizës së ngjashme që ka përfshirë Evropën.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë lëshuar të martën sallën pasi nuk ka pasur kuorum për t’u miratuar propozimi për diskutim të vendimit të ZRRE-së.

Ato kanë kundërshtuar vendimin e ri të këtij institucioni për tarifat e reja të rrymës.

Kuvendi është mbledhur më 8 shkurt për të shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e kaluara.