Vendosni fjalën kyçe....

Dënimi i ish-ministrit Tahiri, Dhoma Amerikane e Tregtisë: S’do të thotë se Drejtësia sot është “perfekte”, vetëm sinjal i parë se po nis të zgjohet


Dhoma Amerikane e Tregtisë ka reaguar në lidhje me dënimin me 3 vite e 4 muaj burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Presidenti Enio Jaço shkruan në një deklaratë se ky vendim ka ndezur sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet.

Sipas tij, pavarësisht vendimit për Tahirin, kjo nuk do të thotë se drejtësia në vendin tonë sot është perfekte.

“Por vendimi për ish ministrin, s’do të thotë se Drejtësia sot është ‘perfekte’. Njerëzit kanë të drejtë të jenë skeptikë, sepse Shqipëria në historinë e saj nuk e ka njohur pothuajse kurrë Shtetin Ligjor, ka vuajtur nga një ‘Drejtësi e Përçudnuar’ nën regjimin komunist, e më pas ka vuajtuar një Kapje të saj pas viteve ’90.

Ky mund të jetë një fillim i gjatë në kohë, megjithatë sado i vakët të jetë ka bërë që sot disa njerëz të ndershëm të ndihen pak më mirë, disa të heshtin dhe të presin më tej dhe disa të pandershëm por të fuqishëm të ndihen në siklet, e ndoshta dhe në panik! Por që drejtësia të nisë të gëzojë Besueshmërinë e njerëzve do duhet kohë, dhe më shumë vepra reale të tilla, që të nisë të japë efektet e saj.”– shprehet ai.

DEKLARATA E PLOTË

Dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka ndezur disi sinjalin e parë se Drejtësia në Shqipëri po nis të zgjohet.

Pavarësisht masës së dënimit që kërkon guxim dhe “stomak të fortë” ligjor e profesional, fakti se zyrtarë apo ish-zyrtarë në nivelet më të larta të qeverisë mund të ndëshkohen po ç’rrënjos kulturën primitive, që përbën thelbin e problemeve në Shqipëri. Një fenomen i ngritur me shqetësim nga Dhoma Amerikane për padrejtësitë që prej vitesh vuajnë bizneset e ndershme në dyert e gjykatave, e që gjithashtu mban larg investitorët e huaj.

Por vendimi për ish ministrin, s’do të thotë se Drejtësia sot është “perfekte”. Njerëzit kanë të drejtë të jenë skeptikë, sepse Shqipëria në historinë e saj nuk e ka njohur pothuajse kurrë Shtetin Ligjor, ka vuajtur nga një “Drejtësi e Përçudnuar” nën regjimin komunist, e më pas ka vuajtuar një Kapje të saj pas viteve ’90.

Ky mund të jetë një fillim i gjatë në kohë, megjithatë sado i vakët të jetë ka bërë që sot disa njerëz të ndershëm të ndihen pak më mirë, disa të heshtin dhe të presin më tej dhe disa të pandershëm por të fuqishëm të ndihen në siklet, e ndoshta dhe në panik! Por që drejtësia të nisë të gëzojë Besueshmërinë e njerëzve do duhet kohë, dhe më shumë vepra reale të tilla, që të nisë të japë efektet e saj.