Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 1.4 kg kanabis në Përmet, arrestohen 2 vëllezërit procedohet i ati


Policia në Përmet ka zhvilluar operacionin policor të koduar “BROTHERS” ku ka sekuestruar 1.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një armë zjarri dhe fishekë.

Nga operacioni janë vënë në pranga 2 vëllezërit që i posedonin si dhe është proceduar penalisht babai i tyre.

Në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të personave që mbajnë armë zjarri pa leje, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “BROTHERS”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Zh., 39 vjeç dhe A. Zh., 36 vjeç (vëllezër) banues në fshatin Bodar, Përmet, si dhe u procedua penalisht shtetasi Ll. Zh., 69 vjeç (babai i tyre).

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një ambient në përdorim nga këta shtetas, në vendin e quajtur “Vinja”, fshati Bënjë, Përmet, u gjetën 1.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sattiva, një armë zjarri dhe një sasi fishekësh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike, arma e zjarrit, fishekët dhe 2 aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit“-thuhet në njoftimin e policisë.