Vendosni fjalën kyçe....

Butrinti grek? Studiuesi Neritan Ceka shpjegon gabimin e mediave britanike: Burimin e ka tek Ministria e Kulturës


Pas një artikulli të gazetës britanike “The Guardian” që e cilësonte Butrintin qytet grek, ka reaguar profesori i njohur Neritan Ceka.

Ishte një fjali e përdorur në këtë artikull ku promovohej turizmi në Shqipëri, që shkaktoi shumë debate në rrjet, ku Butrinti cilësohet si një vend antik me rrënoja greke dhe romake. 

 “Rrënoja greke dhe romake ka edhe në Apolloni dhe Butrint.”- është fjalia.

Në një intervistë për “Zoom.al”, arkeologu dhe studiuesi Neritan Ceka tha se fraza korrekte që do duhej të përdorej është “Ka gjithashtu rrënoja ilire, epirote dhe romake në Apolloni, Bylis dhe Butrint”.

Problemi sipas profesorit është se gazetarët, por jo vetëm ata, i drejtohen enciklopedive, si ajo Britanike, të formuluara që në mesin e shekullit të kaluar, ku nuk janë reflektuar këto studime.

Ceka shton se problemi vjen nga vetë Shqipëria sepse dy vjet më parë, në promovimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit, të përgatitur nga një studio angleze me porosi të Ministrisë së Kulturës, shkruhej e zeza mbi të bardhë “BUTRINTI GREKO ROMAK”!

“Vetëm me pak informacion nga Shqipëria ai zotëri mund të shkruante një artikull tjetër me titull ‘Butrintin grek nuk e shpika unë, por e gjeta tek Ministria juaj e Kulturës’. Sepse, jo më shumë se dy vjet më parë, në promovimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit, të përgatitur nga një studio angleze me porosi të Ministrisë së Kulturës, shkruhej e zeza mbi të bardhë ‘BUTRINTI GREKO ROMAK’!

Duke marrë pjesë në atë prezantim që bëhej nga vetë ministrja Margariti, unë ja shpjegova qartë se Butrinti nuk ka qenë grek, por epirot, sepse gjendej në Epir; pastaj edhe kaon, sepse gjendej në Kaoninë antike, dhe pastaj, edhe prasaib, sepse nga mbishkrimet e gjetura nga arkeologët rezulton se ishte kryeqyteti i një bashkësie të vogël politike, të njohur si Koinoni i Prasaibëve. Por duke qenë se një studiues shqiptar, si puna ime, i dukej zonjës ministre inferior ndaj një babloku englez, që e kishte cilësuar Butrintin si grek, ajo vendosi që teza e Butrintit epirot, kaon, apo prasaib, ishte e pabesueshme. Ky ishte një mesazh për bashkëpuntorët e saj, që as u merakosën fare edhe kur tek sajti i UNESCO, Butrinti figuron edhe sot e kësaj dite si grek.”- thotë Ceka.

Plani i Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit

Adresa zyrtare e UNESCO për Butrintin

Intervista e plotë:

  1. Profesor, ku qendron gabimi historik në këtë paragraf të shkruar nga media britanike “The Guardian”?

Nuk është një çështje gabimi historik, se sa mosinformim, apo më mirë të themi mungesë dëshire për t’u informuar. Pasi të kemi pranuar aspektin shumë pozitiv të këtij artikulli që promovon turizmin kulturor të Shqipërisë në Angli përmes një gazete prestigjioze si “The Guardian”, duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me një lapsus. Fraza korrekte duhet të ishte “Ka gjithashtu rrënoja ilire, epirote dhe romake në Apolloni, Bylis dhe Butrint”. Epiri është një rajon i mirënjohur jo vetëm në gjeografinë historike, por edhe në historinë e antikitetit mesdhetar, për shkak të personalitetit të Pirros së famshëm. Askush në atë periudhë nuk e konsideronte Epirin si krahinë të Greqisë dhe aq më pak epirotët si grekë. Tukididi në shek. V p. Kr. i quante thesprotët, molosët dhe kaonët, tri popullsitë kryesore të Epirit, si barbarë, pra jo grekë në terminologjinë e asaj periudhe. Skilaksi, një gjeograf i po asaj periudhe, e vendoste fillimin e Greqisë në Ambraki, pra në qytetin e sotëm Arta, gjë që përsëritet nga Efori në shek. IV dhe nga Skymni në shek. II p. Kr. Gjeografi tjetër grek, Straboni, që jetoi në kohën e Augustit, vendos përsëri Ambrakinë si kufi nga fillojnë tokat greke, deri në Peloponez dhe shkruante se: “amfilohët janë epirotë, siç janë edhe popullsitë që banojnë vendet mbi dhe pranë Maleve Ilire: molosët, athamanët, ethikët, tymfejtë, orestët, parorejt dhe atintanët…Këta popuj janë të përzier me ilirët”. Pra epirotët nuk ishin grekë, por afroheshin me ilirët, aq sa në krahinat kufitare, që janë lugina e Drinosit, ku jetonin atintanët, apo ajo e sipërme e Vjosës, ku ishin parorejt, nuk dihej mirë, se cilët konsideroheshin ilirë dhe cilët epirotë. Në të vërtetë, studimet  arkeologjike të dhjetëvjeçarëve të fundit kanë provuar se ilirët dhe epirotët kishin një kulturë materiale dhe shpirtërore mjaft të afërt.

  1. Pse vazhdon përsëritet ky gabim nga mediat britanike?

Problemi është se gazetarët, por jo vetëm ata, i drejtohen enciklopedive, si ajo britanike, të formuluara që në mesin e shekullit të kaluar, ku nuk janë reflektuar këto studime. Për të mos folur për artikujt në ëikipedia për lashtësinë ilire dhe epirote, që janë shkruar të gjitha nga studiues grekë me tendenca të qarta vorio-epirote. Këto janë edhe burimi i informacionit të artikullshkruesit të “The Guardian”, që nuk duhet të fajësohet shumë për atë pasaktësi. Vetëm me pak informacion nga Shqipëria ai zotëri mund të shkruante një artikull tjetër me titull “Butrintin grek nuk e shpika unë, por e gjeta tek Ministria juaj e Kulturës”. Sepse, jo më shumë se dy vjet më parë, në promovimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit, të përgatitur nga një studio angleze me porosi të Ministrisë së Kulturës, shkruhej e zeza mbi të bardhë “BUTRINTI GREKO ROMAK”!

Duke marrë pjesë në atë prezantim që bëhej nga vetë ministrja Margariti, unë ja shpjegova qartë se Butrinti nuk ka qenë grek, por epirot, sepse gjendej në Epir; pastaj edhe kaon, sepse gjendej në Kaoninë antike, dhe pastaj, edhe prasaib, sepse nga mbishkrimet e gjetura nga arkeologët rezulton se ishte kryeqyteti i një bashkësie të vogël politike, të njohur si Koinoni i Prasaibëve. Por duke qenë se një studiues shqiptar, si puna ime, i dukej zonjës ministre inferior ndaj një babloku englez, që e kishte cilësuar Butrintin si grek, ajo vendosi që teza e Butrintit epirot, kaon, apo prasaib, ishte e pabesueshme. Ky ishte një mesazh për bashkëpuntorët e saj, që as u merakosën fare edhe kur tek sajti i UNESCO, Butrinti figuron edhe sot e kësaj dite si grek.

Për më tepër, në një sajt të Ministrisë së Kulturës ata e konsideruan edhe Amantian si qytet grek, sepse kështu ishte shkruar te Wikipedia. Si duket vorioepirotët nuk u kënaqën me kaq pak dhe në një dokument tjetër të Ministrisë së Kulturës, që quhet “Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Arkeologjik të Bylisit”, edhe ky qytet konsiderohej si i themeluar nga grekët, kishte pasur vetëm një periudhë greke dhe romake, njëlloj si Butrinti, kishte lidhje vetëm me Epirin dhe Maqedoninë, që natyrisht konsiderohen si greke, dhe administrohej me ligje greke.

Edhe në këtë rast, si me Butrintin, plani ishte përgatitur nga arkeologë të huaj, sepse arkeologët shqiptarë që punojnë nga 1978 deri sot në Bylis, konsiderohen nga Ministria e Kulturës si inferiorë, arkaikë, folklorikë, nacionalistë, pra jo trendy si kolegët e tyre englezë dhe italianë që e kanë parë Bylisin vetëm nga Google dhe Ëikipedia. Pra, që ta mbyll, problem jemi ne vetë dhe jo të huajt që bëjnë gallatë me identitetin tonë historik. Të paktën le të vijnë në Butrint dhe të shijojnë monumentet e mrekullueshme. Ç’rëndësi ka se kush i krijoi! Sa për voroepirotët, fundi fundit le të vijnë edhe ata në trojet imagjinare të të parëve të tyre!

  1. Çfarë duhet të bëjnë institucionet tona?

Thjesht duhet të bëhen institucione kompetente të tipit europian, ashtu siç kanë qenë që nga koha e themelimit të tyre nga Gani Strazimiri, Emin Riza, Aleksandër Meksi, Apollon Baçe, Hasan Nallbani, etj. Në atë kohë Instituti i Monumenteve dhe sistemi i drejtorive rajonale në varësi të tij kishte gjashtë profesorë dhe një autoritet të padiskutueshëm brenda dhe jashtë vendit, duke u konsideruar nga vetë UNESCO si një model i studimit, ruajtjes dhe administrimit të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Sot nuk ka asnjë profesor dhe drejtohet në të gjitha nivelet nga persona me master, që nuk kanë shkruar asnjë libër, apo artikull në jetën e tyre dhe që e kalojnë gjithë ditën duke bërë like në statuset e ministres, apo qeveritarëve. Ndërkohë, Instituti i Arkeologjisë, që i takon një ministrie tjetër, ka po aq profesorë sa edhe 30 vjet më parë, si dhe një numër profesorësh të asociuar dhe doktorësh që drejtojnë të gjithë veprimtarinë në fushën e arkeologjisë, që marrin pjesë denjësisht në konferenca ndërkombëtare, që botojnë revista dhe libra me autoritet të padiskutueshëm në botën shkencore. Pra, dy bij të së njëjtës qeveri, por ku njeri bën rrumpallë dhe tjetri punon. Unë kam kohë që shpresoj që qeveria do ta ndreqë këtë absurditet që është edhe burimi i keqkuptimeve nga të huajt, të cilët jo gjithmonë na e duan të mirën. Natyrisht nuk e kam fjalën për “The Guardian”, që e përshëndes dhe i kërkoj falje që nuk i kemi vënë pikat mbi “i”, në kohën dhe me njerëzit që duhen. 

VINI RE: Kjo intervistë është pronë intelektuale e Zoom.al