Vendosni fjalën kyçe....

SHÇBA aksion kundër lojërave të fatit në Korçë, procedon 3 punonjës policie arreston një person e shpall në kërkim 4 të tjerë


Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka zhvilluar në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, nga ana e SHÇBA Elbasan-Korçë, me mbështetjen e DPPSH dhe dy grupeve të FNSH Tiranë u zhvillua operacioni i koduar “Basti i fundit”, në kuadër të të cilit janë ushtruar kontrolle në disa ambiente bar-kafe.

Pas kontrolleve të kryera në disa ambiente janë gjetur sasi vlerash monetare, njësi kompjuterike, televizorë dhe pajisje të tjera për ushtrimin e veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.

SHÇBA referoi materiale shtesë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në gjendje të lirë për 3 punonjës policie: S.H., 63 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Devoll; P.A., 62 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë, Bashkia Pustec; A.P., 61 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë.

Nga operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B.J., 43 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” si dhe u shpallën në kërkim 4 shtetas:

– M.P., 41 vjeç, për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”;

– A.T., 33 vjeç, lidhje bashkëpunuese në aktivitetin e lojërave të fatit me shtetasin M.P. dhe i dyshuar për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”;

– I.Ç., 24 vjeç, i dyshuar për veprat penale, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

– P.M., 55 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehje e të ardhurave”.