Vendosni fjalën kyçe....

Tjetër reagim nga Bardhi për Metën: Më keq do të bëhet për hallexhinjtë e Lalzit dhe të Surrelit


Vijon përplasja në distancë mes presidentit Ilir Meta dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhit lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ’30 Qershorin’.

Ky i fundit ka publikuar një video të një interviste që presidenti ka bërë përpara zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit të 2019, ku paralajmëronte ata që do të ndërhynin në votimin e lirë, ku shprehej se do ishte ai vetë që do ia “priste dorën”.

Krahas kësaj videoje, Bardhi paralajmëron Metën se edhe më keq do të bëhet për “hallexhinjtë e Gjirit të Lalzit” që sipas tij janë bërë bashkë kundër PD-së, duke iu referuar kështu edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Rëndë, shumë rëndë zoti President! Edhe më keq do të bëhet për hallexhinjtë e Gjirit të Lalzit dhe të Surrelit, që janë bërë bashkë kundër PD! Një kërkesë kam: Bëji një analizë edhe fjalive të tjera të miat për shërbimin që, bashkë me hallexhiun tjetër, i bëni padronit në qeveri.  E vërteta nuk fshihet dot pas hartimeve të gjata, pa përmbajtje dhe pa argument.”– shkruan Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe presidenti kanë patur një përplasje në distancë pasditen e sotme, përmes postimeve në Rrjetet Sociale.

I pari shprehej se presidenti Meta duhej të kishte nisur kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar zgjedhjet e qershorit, ndërsa ky i fundit e quajti atë dhe kreun e PD-së Lulzim Bashën thjesht deputet, duke shtuar se ata gënjejnë.