Vendosni fjalën kyçe....

Meta takon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura: Folëm për agresionin rus ndaj Ukrainës dhe implikimet në rajon


Presidenti i vendit Ilir Meta, i cili është njëherazi dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura është takuar sot me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj.

Meta ka treguar përmes një postimi në rrjetet sociale se në qendër të diskutimit ka qenë situata e krijuar në Ukrainë që ka shqetësuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Bashkimin Evropian dhe NATO-n, të cilat i tremben një agresioni nga Rusia.

Ata kanë folur edhe për implikimet që ky kërcënim, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, mund të ketë edhe për mbarë Europën dhe për rajonin tonë.

“Sot pata një takim pune mjaft të frytshëm me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj.
Diskutuam për situatën në dhe rreth Ukrainës. Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e agresionit rus ndaj këtij vendi mik, të pavarur dhe sovran, si edhe për implikimet që ky kërcënim, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, mund të ketë edhe për mbarë Europën dhe për rajonin tonë.
Në këtë kontekst, nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse.”-
shkruan Meta.