Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhi i Veliajt: Askush s’mund të jetë i paprekshëm, mund të jesh i famshëm si Platini dhe Blatter, por duhet të japësh llogari


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijon mesazhet drejt kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka.

Ndërsa merrte pjesë në Konferencën e zhvilluar sot për “Sistemin e kontrollit të brendshëm në mirëmenaxhimin e financave publike”, Veliaj deklaroi se UEFA dhe FIFA janë shembulli më i mirë se kush abuzon, del para drejtësisë. Ai theksoi se askush nuk është i paprekshëm.

“Pavarësia dhe paprekshmëria janë dy gjëra të ndryshme; mund të jesh i pavarur, por nuk je i paprekshëm. Dhe meqë FIFA dhe UEFA janë në Zvicër, leksioni më i madh në fakt na vjen nga Zvicra, ku fakti që ruhet sekreti bankar, të dhënat personale, që respekton të drejtat e njeriut, nuk nënkupton se njerëzit janë të paprekshëm, qofshin këta edhe vipat e futbollit. Ti mund të jesh futbollist i shkëlqyer si Platini, por Zvicra nuk të jep imunitet. Zvicra të ndjek, të auditon, të kërkon llogari dhe ti nuk je i paprekshëm. Sepp Blatter ishte mbreti i futbollit, por të qenit në Zvicër nuk i dha askujt imunitet. Në momentin që ti dështon në proceset e auditit, të transparencës, atëherë as në Zvicër, që është sot modeli i ruajtjes së pavarësisë dhe privatësisë, nuk shpëton dot.”– deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se fakti që kryetarë bashkie apo ish-ministrja sot janë në paraburgim dhe do përballen me drejtësinë, do të thotë që asnjë nuk ka më imunitet.

“Fakti që ka ministra dhe ish-ministra në paraburgim dhe do të përballen me drejtësinë, do të thotë që s’kanë imunitet. Fakti që ka zyrtarë të të gjitha niveleve, do të thotë se në Shqipëri është bërë një pakt me drejtësinë. Auditi i Bashkisë së Tiranës, i brendshëm, është më i rreptë se KLSH-ja, do të thotë se e kemi rritur ‘piacën’ në çdo segment të shoqërisë. Nuk mund të kemi ishuj apo enklava të pavarura. I pavarur mund të jesh, por jo i paprekshëm.”– janë fjalët e Veliajt.

Sikurse ishte paralajmëruar, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paditi sot për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe rrjetit kompjuterik drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.