Vendosni fjalën kyçe....

Të burgosurve me Covid në SHBA iu dha ilaçi për trajtimin e krimbave të kalit, ata ngrejnë padi: Nuk na kishin informuar


Një grup të burgosurish në një burg në shtetin amerikan të Arkansas po ndërmarrin veprime ligjore, pasi atyre u ishte përshkruar pa dijeninë e tyre “Ivermectin” për trajtimin e Covid-19, një ilaç që përdoret kundër krimbave të kalit.

Doza të vogla të Ivermectin janë miratuar për përdorim te njerëzit, por zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar kundër përdorimit të saj për Covid.

Aktivistët kundër vaksinës dhe teoricienët e konspiracionit e kanë promovuar ilaçin shpesh herë si një alternativë ndaj vaksinimit.

Mjeku që administroi ilaçin tha se asnjë i burgosur nuk ishte i detyruar ta merrte atë. Në një padi të ngritur nga Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU), të burgosurit thanë se pasi u infektuan me Covid, atyre iu dha një ilaç, për të cilin i kishin thënë se përmbanin vitamina, antibiotikë dhe steroide.

Në padi thuhet se të burgosurve u ishte administruar “Ivermectin” pa pëlqimin e tyre paraprak.

Paditësit u identifikuan si Edrick Floreal-Wooten, Jeremiah Little, Julio Gonzales dhe Dayman Blackburn. Katër të dënuarit pretendojnë se ata kishin probleme me shikimin, diarre dhe dhimbje stomaku pas marrjes së ilaçeve.

“Askush duke përfshirë të burgosurit, nuk duhet të mashtrohet dhe t’i nënshtrohet eksperimenteve mjekësore.”– tha drejtori ligjor i ACLU Arkansas, Gary Sullivan në një deklaratë, citon BBC.

“Qendra e paraburgimit dështoi të përdorte trajtime të sigurta dhe të përshtatshme për Covid-19, edhe në mes të një pandemie, dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Mjeku Robert Karas tha se 254 të burgosur ishin trajtuar me ilaçin që nga nëntori i vitit 2020.