Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini: Rusia mund të ndërpresë marrëdhëniet me SHBA-në nëse sanksionon Putinin


Senatorët amerikanë kanë propozuar masa të gjera kundër zyrtarëve rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin.

Por nëse SHBA vendos sanksione personale kundër presidentit Putin, Kremlini është përgjigjur se kjo gjë do të ishte e barabartë me vendimin e Uashingtonit për të ndërprerë plotësisht të gjitha marrëdhëniet me Moskën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me ndëshkimet e planifikuara nga një grup senatorësh amerikanë nga partia e presidentit të SHBA-ve Joe Biden, ku përfshihen kufizime të drejtpërdrejta edhe ndaj Putinit.

“Moska nuk planifikon t’i përgjigjet asgjëje për momentin, sepse ne ende duam të shpresojmë që të paktën një arsye e shëndoshë do të mbizotërojë.”– u përgjigj Peskov, sipas RT.

“Vendosja e sanksioneve kundër kreut të shtetit dhe ndaj liderit të Rusisë… është një masë që është e krahasueshme me ndërprerjen e marrëdhënieve.”- vazhdoi ai.

Masat e propozuara nga senatorët demokratë synojnë të veprojnë si një pengesë kundër një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës. Vendet perëndimore e kanë akuzuar Moskën për zhvendosjen e 100 mijë trupave në kufi me Ukrainën, duke shkaktuar frikë se një pushtim ushtarak është planifikuar në të ardhmen e afërt. Kremlini i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se ka të drejtë të lëvizë ushtrinë e vet kudo që dëshiron brenda territorit të vet.

Projektligji i propozuar nga demokratët përfshin gjithashtu 500 milionë dollarë ndihmë për sigurinë për Kievin dhe sanksione kundër kryeministrit Mikhail Mishustin dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë ruse.

“Putini nuk ka nevojë të shembë gjithë ekonominë e tij dhe as të sakrifikojë jetët e njerëzve të tij në një përpjekje të kotë për të rishkruar hartën e Evropës.”– ​​tha të mërkurën senatori demokrat Robert Menendez, duke sugjeruar se kjo do t’i dërgonte një mesazh Kremlinit se lufta do të ishte një gabim.

Hartimi i masave të mundshme nga Uashingtoni vjen në të njëjtën javë, kur diplomatët rusë u takuan me homologët e tyre amerikanë në Gjenevë, ku diskutuan propozimet për garancitë e sigurisë në Evropë.

Një nga kërkesat e Moskës është një ndalim i zgjerimit të NATO-s në vendet e ish-republikave sovjetike, kufizime në vendosjen e raketave dhe përfundimin e vendosjes së trupave të NATO-s në territorin e vendeve të ish-Traktatit të Varshavës.