Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministrja suedeze nën kritika pasi i kapet në shtëpi një emigrante e paligjshme


Kryeministrja suedeze e emëruar së fundmi, Magdalena Andersson, është bërë shënjestër e një kontrolli të shtuar nga media dhe kundërshtarët politikë pasi një pastruese emigrante e paligjshme u gjet duke punuar në shtëpinë e saj.

Sipas gazetës Expressen, e cila ishte e para që dha lajmin gjatë fundjavës, disa ditë para Krishtlindjeve në vilën e kryeministres në Nacka, policia arrestoi një grua të re nga Nikaragua, e cila supozohej se do të deportohej si emigrante e paligjshme dhe për këtë arsye ishte e kërkuar nga autoritetet suedeze që nga vjeshta 2021.

Zbulimi ishte krejtësisht i papritur. Pastruesit aktivizuan aksidentalisht një alarm për vjedhje, gjë që bëri që policia të shkonte dhe të kontrollonte shtëpinë dhe dokumentet e të gjithëve.

E pyetur nga gazeta, Andersson, e cila u bë kryeministre në nëntor, fillimisht nuk pranoi të komentonte, por më vonë konfirmoi se ajo e kishte prishur marrëveshjen me kompaninë e pastrimit, e cila tha se e kishte mashtruar në lidhje me statusin e punonjëses.

Kryeministrja socialdemokrate, e cila kishte shfrytëzuar shërbimet e kompanisë për disa vite, shtoi se edhe ‘ne që duam të bëjmë gjënë e duhur’ mund të mashtrohemi nga kompanitë ‘e pandershme’.

Megjithatë, shpjegimi i saj duket se ka rënë në vesh të shurdhër. Politikanët dhe mediat e opozitës u kujtuan shpejt për fjalimin inaugurues të Andersson, në të cilin ajo u bëri thirrje njerëzve të bëjnë gjithçka që duhet për të luftuar krimin.

Historia e pastrueses emigrante u bë virale në mediat sociale suedeze, ndërsa gazetat u përpoqën të zbulonin më shumë detaje rreth kompanisë së pastrimit, menaxhimit të saj dhe rregullimeve të sigurisë së kryeministres.