Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Pakicën e kukull Bashës e kontrollon Rama, të ndërtojmë opozitë të vërtetë. Alibeaj: Berisha kufomë politike


Deputeti i PD-së Shehaj ka shkruar mbrëmjen e sotme se demokratët dhe qytetarët shqiptarë e kanë të qartë dhe dallojnë mes opozitës-fasadë dhe asaj të vërtetë.

Ai thekson se PD-ja nuk është buka, godina e karrigia e kryetarit ndërkohë që opozitës së vërtetë i lind detyra që të ndërtojë një alternativë të vërtetë ndryshe nga Rama e Basha, të cilin e quan kukullën e kryeministrit.

“Pakicën e Bashës tashmë e kontrollon plotësisht Edi Rama. Për disa, ky është fundi i opozitës, por kjo nuk është e vërtetë. PD-ja nuk është as vula, as godina e kyçur dhe as karrigia e kryetarit. Partia Demokratike janë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, anëtare dhe votues, që nuk dorëzohen përballë padrejtësive dhe korrupsionit, që besojnë në lirinë dhe demokracinë që me aq mund e sollën vetë dikur. Tashmë gjërat janë të qarta: Demokratët dhe të gjithë, tani dallojnë mirë nga një anë opozitën-fasadë dhe njerëzit e përdorur nga Rama dhe nga ana tjetër, opozitën e vërtetë dhe opozitarët që nuk shiten. Tani, ne duhet të ndërtojmë një alternativë dhe opozitë të vërtetë, ndryshe nga Rama dhe kukulla e tij. Duhet dhe do t’ia dalim!” – shkruan Shehaj.

Ndërkohë nënkryetari i PD-së Alibeaj ka shkruar se Berisha është kthyer sot në vendin e krimit dhe sot ka bërë atë që ka bërë gjatë gjithë jetës, të gënjejë e nxisë dhunën, kësaj here kundër demokratëve. Alibeaj shton se Berisha dështoi të nxirrte arkivole nga PD e vjen vërdallë si kufomë politike për të zgjatur sadopak agoninë.

“Sali Berisha u kthye në vendin e krimit. Ai sot siç ka bërë gjatë gjithë jetës së tij vazhdoi të gënjejë dhe të nxisë dhunën, tashmë kundër demokratëve. Halli i Sali Berishes sa vjen dhe rritet e bashkë me të rritet edhe gjuha e dhunës dhe e urrejtjes. Dje ai dështoi bashkë me Edi Ramën që të nxjerrë arkivole nga PD, ndërsa sot vjen vërdallë si kufomë politike për të mashtruar dhe zgjatur sado pak agoninë e tij.” – shkruan Alibeaj.