Vendosni fjalën kyçe....

Luan Baçi: Basha ose të bashkohet me ne, ose të ikë nga zyra


Kryetari i degës së PD-së në Fier, Luan Baçi thotë se sot do të niste punë Komisioni për Rithemelimin e kësaj force politike.

Ndërsa po fliste për gazetarët në momentin kur grupi i dytë i protestuesve nga Fieri për niseshin drejt Tiranës, Baçi tha se edhe kryedemokrati Lulzim Basha është i ftuar t’u bashkohet, ose në të kundërt të largohet nga zyra.

Por edhe nëse Basha nuk e lë zyrën, Baçi thotë se s’ka problem sepse Komisioni i Rithemelimit mund të futet aty e bashkë me të të bëjnë mbledhjen, por gjithmonë të jetë në statusin e deputetit.

“Protesta e sotshme e PD është një protestë masive, një protestë festive ku do të jemi para selisë së PD për të zbatuar vendimin e Kuvendit të 11 Dhjetorit, vendimin nr 6 që e ka shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar. Mendoj dhe shpresoj se zoti Basha sot do të reflektojë dhe madje unë kam bërë ftesë që të bashkohet aty me ne bashkë, me demokratët që do të vijnë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe të vazhdojmë punën me Komisionin e Rithemelimit.

Absolutisht nuk do ta pengojë protestën ose fillimin e punës së Komisionit të Rithemelimit. Komisioni i Rithemelimit që u zgjidh në Kuvendin e 11 Dhjetorit do të fillojë punë sot dhe demokratët do ta shoqërojnë. Shoqërimi bëhet nga demokratët në ditën e parë të punës. Basha nuk është Kryetar, Basha është deputet i PD-së dhe si i tillë, ai sot ose duhet të bashkohet me ne, ose duhet të ikë nga zyra. Është shumë e thjeshtë situata dhe unë kam besim dhe shpresë se ai do të bëjë një nga këto të dyja dhe në zyrë nuk do të rrijë.

Le të rrijë në zyrë bashkë me ne, s’ka problem fare. Komisioni i Rithemelimit do të futet aty dhe ai le të bëhet pjesë po deshi. Mund ta hedhim dhe në votë atje ta bashkojmë të bëhet pjesë e komisionit si deputet i thjeshtë.”- tha Baçi.