Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu nga Spitali i Traumës: Mjekët në gatishmëri në natën e ndërrimit të viteve


Këtë të premte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar Spitalin Universitar të Tramës.

Ajo tha që janë marrë të gjitha masat për natën e ndërrimit të viteve dhe ditët në vazhdim që ekipet e shëndetësisë të jenë në gatishmëri për çdo emergjencë mjekësore.

 “Gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë, ashtu sikurse në të gjitha ditët e vitit, sidomos në këtë vit pandemie. Të gjithë jemi të angazhuar maksimalisht, strukturat e Urgjencës Kombëtare nëpërmjet 127 janë në gatishmëri të plotë, ashtu sikurse edhe njësia e helikopterëve. Por nga ana tjetër të gjitha spitalet janë të pajisura me të gjitha barnat dhe materialet mjekësore për të përballuar çdo emergjencë gjatë këtyre ditëve të festave. Njësitë e urgjencave në spitale kanë marrë masat për stafet në gatishmëri. Janë të vendosur përveç stafeve të përforcuara, edhe mjekët të cilët janë ‘on call’ që thirren në rastet kur flukset mund të jenë të shtuara.”– u shpreh ministrja.

Mes të tjerash ajo u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe që festat të organizohen vetëm me familjen dhe të respektohen masat kur dalin jashtë.

 “Ashtu sikurse kanë rekomanduar edhe Komiteti i Ekspertëve për të gjithë qytetarët, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që festat të jenë në familjen e vogël. Të jemi të kujdesshëm për arsye të shmangies dhe të kufizimit të përhapjes së virusit, duke festuar me familjen e vogël, por duke garantuar që të jemi të gjithë të shëndetshëm nëpërmjet vaksinimit apo testit depistues në mënyrë që të shmangim qarkullimin e virusit. Nga ana tjetër të gjithë duhet të jemi të sigurt edhe përsa i përket mjediseve që do të frekuentohen, bare apo restorante për të zbatuar protokollet të cilat janë protokolle sigurie përsa i përket kapacitetit të bareve apo restoranteve, ajrosjes, ruajtjes së distancës.”- ishte apeli i ministres Manastirliu.