Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Balluku: Kosovës do i japim energji elektrike në dy ditët e festave, do na e kthejë kur të ketë mundësi


Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka folur në lidhje me ndihmën që i është premtuar Kosovës këtë fundvit në lidhje me krizën energjetike.

E pyetur nga gazetarët, ministrja Balluku sqaroi se energjia do të merret nga rezervat dhe do të jepet për Kosovën në datën e 31 dhjetorit dhe 1 janarit, për të mos lënë qytetarët kosovarë pa energji gjatë këtyre ditëve.

Kjo energji do i jepet Kosovës pa pagesë dhe do të kthehet kur të gjendet mundësia dhe kur vendi ynë  të ketë nevojë.

“Ne do sakrifikojmë dhe do heqim nga rezervat tona për t’ja dërguar Kosovës në datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Sasia e dërguar është 7680 megavat dhe do fillojmë transmetimin në orën 7 të datës 31 dhe do transmetojmë deri në orën 24:00 të datës 1 janar. Gjithçka që do dërgojmë nuk presim shkëmbim financiar, por kjo sasi që ne do depozitojmë do na kthehet në një moment kur ata të kenë komoditetin në periudhën e Verës, pra nga Qershori deri në Shtator, kur Shqipëria ndeshet me vështirësitë e rezervave hidrike.

Kjo është një sakrificë që bëhet nga Republika e Shqipërisë. Do të mundohemi të krijojmë një mishel përmes depozitave që po krijohen me shpresë këto ditë nga reshjet që do të kemi dhe kemi për momentin dhe ne do të jemi në kushtet e importit edhe për Republikën e Shqipërisë. Kështu që do të jetë një mishelim edhe i rezervës hidrike që do të përdorim nga kaskada e Drinit, edhe i një blerje në rast se do të jetë e nevojshme. Shpresoj që do t’ja dalim me rezervat tona.”- deklaroi ministrja Balluku.