Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet një makinë e djegur në Darzezë, dyshohet se është përdorur në atentatin ndaj 33-vjeçarit në Vlorë


Një automjet tip “Mazda” është gjetur i djegur në fshatin Darzezë të Fierit. Sipas “Report TV” dyshohet se automjeti mund të jetë përdorur në atentatin me eksploziv, të ndodhur ditën e dielë në Vlorë ndaj 33-vjeçarit Endrit Sabedini.

Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Lushnjë ndërsa në brendësi të tij nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për gjetjen e indikacioneve që mund të çojnë drejt zbardhjes së ngjarjes.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në datën 19.12.2021, për ngjarjen e ndodhur tek lagjja ‘Pavarësia’, ku mbeti i dëmtuar nga shpërthimi i një lënde eksplozive, shtetasi E. S., ju bëjmë me dije se:

Nga shërbimet policore, në bypassin e qytetit të Fierit, pranë mbikalimit të ‘Parkut të Apollonisë’ është gjetur i djegur një automjet i markës ‘Mazda’, i cili dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do të çojnë në identifikimin e autorit/ve të ngjarjes.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Fierit dhe ajo e Vlorës po veprojnë në bashkëpunim me njëra-tjetrën.

Kujtojmë se të dielën, një atentat me tritol ndodhi në zonën e Lungomares në Vlorë, ku si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë 33-vjeçari,
Indrit Seladini.

Ky i fundit kishte rënë pre e një atentati edhe 4 vite më parë.