Vendosni fjalën kyçe....

Dogjën katër flamuj të Serbisë gjatë protestës, arrestohen dy persona e procedohen gjashtë të tjerë


Dy persona janë arrestuar pasi akuzohen se kanë djegur katër flamuj të Serbisë gjatë protestës së djeshme në Tiranë ndërsa gjashtë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në pranga kanë përfunduar 41-vjeçari me iniciale A.C. banues në Tiranë e 56-vjeçari me iniciale B.B. banues në Krujë.

Ndërsa të proceduarit penalisht në gjendje të lirë jaë gjashtë të mitur të moshave 15-16 vjeç.

Sipas policisë, personat në fjalë kanë djegur pasditen e djeshme katër flamuj të Serbisë në protestën e zhvilluar para kryeministrisë e në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Njoftimi

“Tiranë/Dogjën 4 flamuj kombëtar të Serbisë, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë. Strukturat e Policisë së Shtetit, pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.  Këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë. Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.”