Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Jugut do përdorë inteligjencën artificiale për të ndaluar vetëvrasjet


Seuli ka filluar përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale (AI) për të parandaluar përpjekjet për vetëvrasje në urat e lumit Han. Kamerat ‘inteligjente’ po mësohen të zbulojnë sjellje të dyshimta dhe të lajmërojnë me shpejtësi autoritetet.

Lumi Han dhe 28 urat e tij janë të njohura për faktin se janë vendi i 486 përpjekjeve për vetëvrasje mesatarisht çdo vit, me Korenë e Jugut që ka një nga nivelet më të larta të vetëvrasjeve në botë.

Kamerat e reja ‘përdorin inteligjencën artificiale të mësimit të thellë për të zbuluar dhe parashikuar situata të rrezikshme’, sipas një deklarate të lëshuar nga Instituti i Teknologjisë i Seulit dhe Shtabi i Zjarrit dhe Fatkeqësive të qytetit kur plani u njoftua në fillim të këtij viti.

Nëpërmjet shikimit të videove të njerëzve që u përpoqën të vetëvriteshin në ura, ‘AI’ ka mësuar ‘modelin e atyre që mund të kërcejnë’.

Ajo shikon për ata që zgjasin shumë ose shfaqin lëvizje të tjera të pazakonta. Pasi zbulohet një sjellje e dyshimtë, kamerat CCTV dërgojnë pamjet në një qendër kontrolli, e cila nga ana tjetër urdhëron një ekip shpëtimi të kontrollojë urën, ndërsa mund të vendosen edhe varkat e shpëtimit.

“Gjëja më e rëndësishme në shpëtimin e njerëzve që po përpiqen të bëjnë vetëvrasje është se ata duhet të ndalohen para se të jenë në ujë,” tha një zyrtar për Korea Times. Ai shtoi se sapo personi është në ujë, ‘shkalla e mbijetesës bie nën 50%’.

Në fillim të dhjetorit, shërbimet e urgjencës njoftuan se ishte ngritur një kullë kontrolli për të menaxhuar qindra kamera CCTV ‘të zgjuara’. Sistemi do të përditësohet rregullisht gjatë një periudhe prove deri në maj 2022.