Vendosni fjalën kyçe....

Referendumi i thirrur nga Berisha, Albana Vokshi: Deri në orën 15:00 votuan 34 mijë e 105 demokratë


Deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka përditësuar të dhënat lidhur me votimin e referendumit deri në orën 15:00.

Në një deklaratë për mediet në emër të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Vokshi tha se deri në orarin e lartpërmendur, kanë votuar 34 mijë e 105 demokratë ndërkohë që procesi i votimit vijon. 

“Deri në orën 15:00 janë 34 105 votues. Në shumë qendra votimi është tejkaluar numri i votuesve përfundimtar të datës 13 qershor për Lulzim Bashën.”-u shpreh Vokshi. 

Vokshi tha se qendrat e votimit do të jenë hapur derisa të votojë edhe demokrati i fundit. 

“Ky është raportimi i radhës për pjesëmarrjen në votimin e referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës. Raportimi bëhet sipas raportimeve nga komisionerët deri në orën 15:00.

Unë besoj që ju i keni marrë pamjet që është hedhur vaji i makinave në shkallë për të mos ecur njerëzit. Por asgjë nuk e pengon vullnetin e sovranit për të shkarkuar Bashën.

Deri tani që flasim votimi ka qenë i qetë, përveç një rasti në bashkinë Cakran.

Ka fluks në shumë qendra votimi, ndaj i lutem komisionerëve që të mbajnë hapur qendrat e votimit derisa të votojë demokrati i fundit. Nëse ka radhe të mos i mbyllin derisa të votojë demokrati i fundit.

Për shkak të fluksit shumë të lartë ne janë lutur shumë demokratë që t’i presim për të votuar. Mbase e kemi të pamundur që ta japim në 5 e 30 rezultatin e votimit, mund të marrë pak më gjatë sepse do t’i japim të drejtën e votës edhe demokratit të fundit.”– tha Vokshi.

Numri i votuesve deri në orën 15:00 sipas qarqeve:

Shkodër: 3,660
Lezhë: 2,670
Kukës: 1,550
Dibër: 1,529
Durrës: 4,840
Tiranë: 7,536
Elbasan: 2,796
Berat: 893
Korçë: 2,655
Fier: 3,415
Gjirokastër: 1,288
Vlorë: 1,273