Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Nuk do të ketë dy PD, jemi sulmuar padrejtësisht


Deputetja demokrate Jorida Tabaku thotë se sot s’do ketë dy PD pavarësisht tensioneve që kanë përfshirë këtë forcë politike.

“Duhet të pranojmë dhe besojmë që forca jonë politike është një forcë që duhet të tejkalojë çdo individ qoftë ai edhe kryetari i PD-së.

Nuk ka dhe nuk do të ketë një PD të dytë për aq kohë sa vlerat dhe parimet e PD-së së vetme mbahen të shenjta.”- është shprehur Tabaku.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku deklaroi se PD duhet të hapet për këdo që dëshiron të kontribuojë ndërsa shtoi se partisë i duhen njerëz me ideale.

Sipas saj, dita e sotme është dita për të reflektuar mbi veten dhe për të guxuar për të ndryshuar.

FJALIMI I TABAKUT

Të nderuara zonja demokrate dhe të nderuar zotërinj demokratë.

Në kujtesën time politike ky është me gjasë një nga vitet më të vështira që mund të kemi kaluar prej më së paku dy dekadash.

Në kohë krizash, në kohë të një furtune në këtë familje të madhe rruga e vërtetë që duhet të ndjekim është ajo e një reflektimi real dhe të sinqertë me veten.

Sot, ne duhet të shohim nga vetja për të kuptuar realisht se çfarë shkoi gabim që ne erdhëm këtu, në një Kuvend Kombëtar të jashtëzakonshëm.

E morëm një goditje paralajmëruese në pranverën e këtij viti dhe zgjodhëm që të mos reflektojmë realisht mbi çka ndodhi.

U gabuam të gjithë! Unë e para u gabova! Pasi mendova dhe besova se atëkohë ishte më e dobishme ti shmangeshim asaj që ishte përpara nesh.

Prandaj na duhet sinqeritet dhe të shohim njëri tjetrin në sy për të kuptuar pse gabuam.

Na duhet guxim për të nisur një ndryshim real.

Dhe na duhet vetë disiplinë për të vazhduar rrugën e ndryshimit dhe për të mos rënë më kurrë këtu ku jemi.

Partia Demokratike është shtëpia jonë e ngritur me mish e me shpirt jo nga një individ, jo nga një grup dhe as nga një taraf politik apo shoqëror.

Në të kundërt është forca politike e krijuar nga përpjekja, mundi dhe shpresa e atyre qindra mijëra shqiptarëve që në 5 dekada diktaturë u dergjën burgjeve, internimeve për të luftuar një grup gangsterësh kriminalë dhe oligarkë që skllavëruan një popull më keq se sa çdo pushtues.

Një familje e madhe e ngritur mbi vlera dhe parime të një të djathte që beson në Zot, e lufton për kombin, familjen dhe që çdo përpjekje të saj e ka për të krijuar një shoqëri të shëndetshme.

Fatkeqësisht ne nuk pamë nga këto vlera dhe parime dhe ideale ditën në të cilën u mblodhën në këtë sallë. Nuk e kuptuam që diçka po shkonte keq dhe se duhet të ishte ndryshuar brenda nesh, brenda çdo demokrateje dhe demokrati.

Detyra jonë është ajo e ndryshimit të vetes sonë për t’i dhënë një mundësi të re demokratëve dhe një shpresë reale dhe të prekshme shqiptarëve.

Ne mund ta arrijmë këtë duke guxuar për të ndryshuar.

Ne duhet të jemi partia e të rinjve, ku ato të kenë vendin e hapësirën e tyre, ku mund të na sfidojnë e të shkundin sa herë gjykojnë, e jo të shkojnë si ushtri kur i tërheqin mbas hunde!

Ne nuk kemi përse të jemi partia e favore dhe ndereve me të cilat i mbajmë peng të tjerët. Por një forcë politike që lufton për t’i shërbyer kombit dhe atdheut.

Jemi një forcë politike që u ngrit mbi dëshirën për më shumë liri mendimi, liri shprehje, angazhimi politik dhe mbi të gjitha lirie ekonomike.

Ndaj sot duhet t’i kthehemi këtyre vlerave pasi janë këto vlerave jo për retorikë por realisht si një akt politik për të ftuar të rinjtë që të mos largohen nga ky vend.

Të rinjtë largohen nga ky vend pasi shohin që liria është vetëm një reklamë në vitrinat e Shqipërisë dhe jo një realitet i prekshëm.

Të rejat largohen nga ky vend pasi realisht nuk shohin garë të ndershme dhe të lirë por shohin një sajesë propagandistike.

Ata e kanë të huaj vendin e tyre sepse e ndjejnë barazinë si një luks dhe jo si një normë shoqërore.

Pasi shqiptare e shqiptarë zhduken prej këndej sepse nuk shohin mundësinë e meritokracisë për të fituar me meritën vendin. E së pari këtë duhët ta ofrojmë në partinë tonë, për ato qindra e mijëra të rinj demokratë që kanë dëshirë e ambicie politike.

Ne duhet të kemi guximin për t’iu rikthyer atyre parimeve të shenjta mbi të cilat u ngrit kjo forcë politike.

Duhet të pranojmë dhe besojmë që forca jonë politike është një forcë që duhet të tejkalojë çdo individ qoftë ai edhe kryetari i PD-së.

Nuk ka dhe nuk do të ketë një PD të dytë për aq kohë sa vlerat dhe parimet e PD-së së vetme mbahen të shenjta.

Të nderuar demokrate dhe demokratë,

Nëse duam që kjo forcë politike të jetë realisht konkurruese ajo duhet të jetë shpresëdhënëse dhe që të jetë e tillë ne duhet të dëshmojmë se ka forcën, energjinë dhe aftësinë për t’u transformuar.

Unë, nuk besoj dhe as kam besuar ndonjëherë se shoqëria jonë, që kombi ynë e do korrupsionin, diktaturën dhe vjedhjen.

Unë besoj se në të vërtetë njerëzit kanë një neveri dhe përbuzje ndaj veseve që e varfërojnë dhe shkatërrojnë familjen, kombin dhe shoqërinë.

Prandaj sot jam në këtë forcë politike dhe prandaj besoj se vetëm kjo forcë politike mund ta transformojë Shqipërinë.

E që ta bëjmë këtë ne së pari duhet të hapemi, për këdo që ka dëshirë të kontribuojë.

Duhet t’i drejtohemi shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit tonë.

Duhet të jemi një forcë politike që burimin e energjisë ta kemi sidomos tek shtresa e mesme, tek intelektualë dhe tek kushdo që beson tek parimet e një të djathte.

Vetëm kështu ne mund të përthithim edhe ato që besimin tek politika, tek qeverisja e mirë duke ia hequr trishtimin dhe melankolinë e padrejtë se politika është një platformë pasurimi personal.

Prandaj sot i ftoj ato të reja dhe ata të rinj që partia politike nuk u jep besim që të afrohen për të kontribuar në më shumë liri, më shumë demokraci dhe më shumë konkurencë.

Ne, së bashku do ta ndryshojmë këtë vend duke i ofruar shqiptarëve jo vetëm një slogan kundër korrupsionit, vjedhjes dhe hajnisë por një program real.

Ne duhet ta çliorjmë tregun, të zgjerojmë mundësitë, t’i japim shansin të gjithëve se nuk mund të jetë Shqipëria vendi i mundësive veç e një grupi të vogël.

 

Ne, duam të godasim në zemër korrupsionin dhe kapjen e lirisë së tregut dhe individëve nga baronët hajdutë që sot qeverisin vendin.

Sot Shqipëria dhe shqiptarët kanë përballë një qeverisje të kalbur dhe të korruptuar që i mban peng në burgun e tranzicionit.

Shqiptarët kanë përballë një armatë hajdutësh dhe të korruptuarish që i përdorin zyrat e qeverisjes për të privuar të rinjtë dhe të rejat nga liria e tyre.

Prandaj ne duhet të jemi krahu, shtegu dhe udha nga e cila Shqipëria të kalojë nga burgu i tranzicionit në lirinë e një Shqipërie Europiane.

Jemi ngritur mbi parimin e një demokracie funksionale që ecën mbi institucionet e lira dhe ndarjet e pushteteve. Ndaj do të luftojmë për t’i rikthyer këtij vendi ndarjet e pushteteve, kufizimin e mandateve dhe mbi të gjitha shkëputjen e krimit të organizuar nga politika dhe qeverisja.

Një forcë politike që sot lufton për një shtet të së drejtës, për sundimin e ligjit më shumë se sa për sundimin e një individi apo një bande oligarkësh.

Ne jemi shpresa e të ardhmes sepse do të luftojmë për një ekonomi dhe Shqipëri të mundësive për të gjithë, të meritokracisë.

Po që këto parime t’ia japim shqiptarëve së pari duhet t’ia japim demokratëve.

Do të këmbëngulim që kjo forcë politike t’i afrohet përherë e më shumë meritokracisë brenda saj për të dhënë ne shembullin e parë se si do të veprojmë në qeverisje.

Ne besojmë se shtresa e mesme është pjesa më vitale e një shoqërie dhe ajo që mundëson avancimin e saj.

Ne besojmë dhe jemi të bindur që mbështetja e kësaj shtrese jo me shpikje fiskale siç bën kjo qeveri por me politika reale në favor të saj është lojtari kyç që mund ta kthejë për mirë ekonominë tonë.

Ne besojmë tek dija e vendosur në praktikë nga kjo shtresë. Besojmë tek forca e njeriut për të mundësuar ndryshime të mëdha.

Prandaj sot jemi këtu për t’i ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve një parti më moderne, më të re, më dixhitale dhe më pranë jush.

Miq demokratë!

Në këtë sherr brenda nesh, jemi sulmuar veç pse mendojmë ndryshe! Pandershmërisht dhe shpesh në mënyrë të turpshme.

Unë nuk e besoj dhe sa të kem frymë e mundësi nuk do të toleroj që në Partinë Demokratike ku unë jam anëtare që 16 vjeç mendimi ndryshe të sulmohet!

Nuk mund të toleroj dhe as pranoj pa e kundërshtuar që ata që mendojnë ndryshe të atakohen, intimidohen dhe bullizohen.

Ne, jemi një forcë e djathtë dhe dhuna vjen atëherë kur mungon arsyeja. Kërcënimi vjen atëherë kur mungon argumenti, bullizimi vjen atëherë kur mungojnë faktet.

Prandaj sot kemi një mundësi të artë, për të parë nga e ardhmja, për të menduar për nesër për fëmijët tanë!

Të bashkohemi jo për të shpëtuar një individ, as fatin politik timin apo dikujt tjetër. Të bashkohemi për të nisur me guximin këtë udhëtim që me siguri do të na dërgojë në fitoren që aq shumë e kemi kërkuar.

Kokë ulur para jush, përjetë borxhlije ndaj jush!

Përjetë demokrate!

Zoti e bekoftë kombin Shqiptar!

Zoti I bekoftë demokratët!

Zoti e bekoftë Partinë Demokratike!