Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi e Këlliçi: Basha e ka humbur pushtetin mbi demokratët, radhë të gjata në referendumin për shkarkimin e tij


Deputeti i PD-së Bylykashi ka deklaruar pas votimit në referendum se Basha e ka humbur pushtetin mbi demokratët.

Ai theksoi se sot anëtarëve të PD-së u kthehet pushteti për të vendosur dhe se sot pritet një pjesëmarrje shumë më e madhe se në qershor kur u zgjodh Basha.

“Sot është një ditë shumë e madhe për demokratët. Është momenti ku i kemi kthyer anëtarësisë pushtetin për të vendosur ata me referendumin e sotëm. Me statutin e ri demokratëve i është dhënë fuqia për ratifikimin e organeve më të lartë. Sot votojmë shkarkimin e kryetarit që ka centralizuar partinë përtej cdo lloj caku. Ka shkaktuar një situatë të rëndë demokracie. Basha përgjatë gjithë viteve duke mos i dhënë rëndësi organizimit të partisë ka cuar në një situatë problematike. Janë shumë më tepër demokratë, se në qershorin e këtij viti, ku demokratët duhet t’i bindje të vinin të votonin për Bashës. Sic e shihni sot po vijnë në numër të madh. Po vijnë demokratë që tregojnë me shumë krenari kartën e anëtarësisë prej vitit ’92. Basha ka humbur pushtetin mbi demokratët. Një kryetar që shkarkon partinë e vet duhet të largohet.” – tha Bylykbashi.

Deputeti tjetër Këlliçi, i cili votoi në Tiranë tha se referendumi i sotëm do ketë pjesëmarrje masive dhe se do jetë një proces model.

Po kështu ai theksoi se në debatin e fortë që ka mbërthyer PD-në, peshorja anon nga pala që kërkon hapjen e partisë e një PD më të bashkuar ndërsa sipas tij, pala tjetër vijon t’i bjerë murit me kokë.

“Sot është një ditë shumë e bukur. Rrallë keni parë këtë lloj masiviteti dhe interesi nga anëtarësia e PD për të marrë pjesë në një proces të brendshëm, është referendumi i parë në 31 vite. Ka pasur masivitet në të 106 qendrat e votimit. Sot mbahet një referendum për shkarkimin e ish-kryetarit të partisë. Jam i bindur që do të shihni një proces model. Është e vërtetë që ka një debat shumë të fortë në PD. Sigurisht që peshorja anon dukshëm nga njëra anë, nga ajo anë që kërkon hapjen e PD, kërkon një PD më të bashkuar. Unë në këto 12 vite të jetës sime aktive në PD, nuk kam parë kurrë radhë të tilla si sot në një proces të brendshëm të PD, dhe kurrë që qytetarët të qëndrojnë në radhë për të votuar. Keni parë demokratë që kanë ardhur me tesera të viteve 1990. Risia e këtij procesi votimi është që po rikthehen në PD dhe po marrin pjesë qëndrestarë, themelues, që kishin shumë vite pa qenë pjesë e PD. Pala tjetër vazhdon t’i bjerë murit me kokë. Sot kemi parë skenarë shumë të shëmtuar, si ai te njësia nr.1, ku është hedhur vaj për të rrëshqitur demokratët. Kjo nuk i bëhet as armikut. Kemi parë skenarë si ai në Sarandë, ku është mbyllur selia, është kyçur, dhe komisioni është vendosur jashtë për të zhvilluar votimin. Ne sot kemi të rëndësishëm mbarëvajtjen e procesit. Me të mbaruar procesi, do jetë Kuvendi dhe Komisioni i Rithemelimit që do të vendosin për hapat e radhës. Duhet të dalë rezultati, ta presim me qetësi, për të parë çfarë do të ndodhë nesër.” – tha ndër të tjera Këlliçi.