Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi për aferën e inceneratorëve: Rama është koka e grupit të strukturuar kriminal, ideator i skemës dhe zbatues i saj


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka folur përsëri lidhur me aferën e inceneratorëve. Në një tjetër denoncim në rrjetet sociale, Kryemadhi e ka silësuar kryeministrin Edi Rama si ideatorin dhe zbatuesin e kësaj skeme korruptive. Ndërsa kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn, e ka quajtur “vasal” të tij.

Kryemadhi ka publikuar disa dokumente të cilat sipas saj e vërtetojnë këtë.

“Çfarë hetimi kërkohet më, kur është me firmë dhe me vulë?
Qytetarët presin me padurim goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal të veshur me kostum zyrtar. Ja ku është koka e grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, me vasalin e tij, Erion Veliaj.
Edi Rama, si ideator i skemës së inceneratorëve dhe zbatues i saj, këtë radhë ka firmat mbi vendimet që i kanë dhënë jetë skemave.
Ndërsa Erion Veliaj firmos me urdhër të Ramës. Ku e gjen të drejtën, që në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, neni 54/dh, të marrë atributet e Këshillit Bashkiak? Ai ka grabitur duke lidhur taksat e qytetarëve, për 30 vjet me inceneratorin e Tiranës, me një vlerë në total 91,784,500 Euro pa Tvsh.
Jam e bindur se zbatimi i ligjit dhe leximi objektiv i provave nga ana e institucioneve të drejtësisë, do të mundësojë, që nga zyrat e shtetit, një e nga një, anëtarët e bandës famoze të inceneratorëve të përballen dhe të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.”- shkruan Kryemadhi.