Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri sllovak ndalohet nga Policia në transmetim “live”, teksa po jepte deklaratë për mediet (VIDEO)


Ish-kryeministri dhe kryetari i partisë opozitare “Smer” në Sllovaki, Robert Fico, u arrestua nga policia pak para se të fillonte të enjten në mbrëmje protesta e planifikuar kundër qeverisë dhe Presidentes Zuzana Caputova.

Fico u arrestua para kamerave në transmetim të drejtpërdrejtë, kur ai u përpoq të jepte një deklaratë për mediat për të nisur një protestë, pavarësisht kufizimeve anti-Covid.

Fillimisht u tha se Fico u ndalua për shkelje të ndalimit të tubimeve, por Policia shpjegoi më vonë se Fico nuk është ndaluar, por thjesht është shoqëruar.

Fico u lirua pas një ore. Ish-kryeministri sllovak tha për shtypin se ishte shoqëruar nga policia për shkelje të rregullit për grumbullimin e njerëzve në kohë emergjence kombëtare. Ai tha gjithashtu se akuzohet për veprën e nxitjes.

“Është absurde nëse një deputet në kuadër të punës së tij, sepse është puna ime, të arrijë në një vend në orën 18:00 me makinë. Aty makina rrethohet nga një grup policësh si një kriminel i kërkuar.”- ka thënë Fico, sipas medieve sllovake.

Protesta do të zhvillohej në argjinaturën Tyrsovo Nabrezie në Bratislavë, në formën e një kortezhi makinash. Gjatë shpalljes së protestës, Fico tha se ajo do të mbahej në përputhje me masat aktuale.

Rreth 50 persona ishin mbledhur për protestën. Menjëherë pasi ka zbritur nga makina, Ficos i janë afruar dy policë të cilët i kanë kërkuar të shkonte me ta. Më pas Fico hipi në makinën e policisë.