Vendosni fjalën kyçe....

Malta bëhet vendi i parë i BE-së që legalizon kanabisin


Malta është bërë vendi i parë i BE-së që legalizon kultivimin dhe përdorimin personal të kanabisit.

Të rriturit do të lejohen të mbajnë deri në shtatë gram kanabis dhe të kultivojnë jo më shumë se katër bimë në shtëpi. Por pirja e cigareve të hashashit në publik ose para fëmijëve do të jetë e paligjshme, shkruan BBC.

Disa vende të tjera kanë plane të ngjashme, si Gjermania, Luksemburgu dhe Zvicra. Vende si Holanda e tolerojnë përdorimin e kanabisit në rrethana të caktuara.

Parlamenti i Maltës votoi në favor të reformës të martën pasdite, me projektligjin që fitoi 36 vota pro dhe 27 kundër.

Ministri i Barazisë, Oëen Bonnici, tha se masa “historike” do të ndalonte përdoruesit e kanabisit në kohë të vogël të përballen me sistemin e drejtësisë penale dhe do të “frenonte trafikun e drogës duke u siguruar që përdoruesit tani të kenë një rrugë të sigurt dhe të rregullt nga ku munden ta marrin kanabisin”.

Megjithatë, Partia Nacionaliste e opozitës së Maltës votoi kundër ndryshimit.

Në tetor, udhëheqësi i saj Bernard Grech, i cili fillimisht e mbështeti ligjin e ri paralajmëroi se ky ligj i ri “do të çonte vetëm në forcimin e tregut të paligjshëm, me përfitimin e krimit të organizuar”.

Kundërshtarët i kanë bërë thirrje presidentit të Maltës, George Vella, të mos e nënshkruajë atë në ligj, që është faza përfundimtare, ceremoniale.

Sipas ndryshimeve, kushdo që mban më shumë se shtatë gramë, por më pak se 28 gramë, mund të gjobitet deri në 100 euro.

Dënimi për pirjen e cigareve në publik do të jetë një gjobë prej 235 eurosh, ndërsa ata që pinë kanabis para çdo personi më të ri se 18 vjeç mund të gjobiten deri në 500 euro.

Do të krijohen shoqata për të shpërndarë drogën ose farat për kultivimin e kanabisit, duke mbajtur kështu të dhëna se sa blen dikush dhe një person mund të jetë vetëm anëtar i një shoqate.

Mbështetje ka edhe për të miturit që gjenden me kanabis. Atyre do t’u rekomandohet një plan kujdesi ose trajtimi në vend të përballjes me arrestimin ose akuzat penale.