Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja furnizon Ukrainën me raketa


Pentagoni ka zbuluar hollësi të dërgesës së sistemeve raketore antitank dhe predhave të llojeve të tjera me të cilat ka furnizuar Kievin, teksa në kufijtë me Rusinë janë rreshtuar qindra mijëra ushtarë nga të dy krahët.

Në një deklaratë të marrë nga gazeta ruse TASS të enjten, zëdhënësi i Pentagonit, nënkoloneli Anton Semelroth tha se ‘paketa prej 60 milionë dollarësh përfshinte 30 lëshues komandimi dhe kontrolli Javelin, si dhe 180 raketa’. Sipas tij, raketat i janë dorëzuar Ukrainës më 23 tetor.

 “Në vitin 2021, SHBA-ja ndau më shumë se 450 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën për mbrojtjen si pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për të mbështetur aftësinë e vendit për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tij territorial”, shtoi zëdhënësi.

Komentet e Semelroth vijnë mes paralajmërimeve nga Moska mbi tensionet në rajonin e shkatërruar nga lufta pranë kufijve të Rusisë.