Vendosni fjalën kyçe....

Berisha një ditë pas shkarkimit të Bashës në Kuvendin e thirrur prej tij: Sot nuk është koha e dyshimit, është koha e veprimit


Një ditë pasi Kuvendi i Partisë Demokratike i thirrur prej tij vendosi shkarkimin e kryetarit aktual të PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha ka përcjellë një mesazh në rrjetet sociale.

Në kohën kur vendimet e Kuvendit u hodhën poshtë nga Basha, Berisha thotë se nuk është më koha e dyshimit, por është koha e veprimit. Ai falenderon të gjithë demokratët që morën dje pjesë në Kuvend.

“Të dashur demokrate dhe demokratë!

Kohët e fundit kanë qenë të mundueshme dhe të vështira për Partinë Demokratike. E di që shumë prej jush kanë dyshuar, ndoshta edhe janë trembur për shkak të fushatës së fuqishme lincuese që është mbajtur kundër personit tim dhe lëvizjes së Foltores.

Megjithatë, ne të gjithë së bashku, Delegatë dhe militantë u dhamë përgjigjen më dinjitoze, më të bukur dhe më madhështore dje nëpërmjet mbledhjes historike të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike thirrur nga Delegatët.

Sot nuk është më koha e dyshimit, sot është koha e veprimit.

Ju pres të gjithëve në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tone të përbashkëta, Partinë Demokratike, për të vazhduar betejën kundër të keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur.

Me nderim të veçant për kontributin e secilit prej jush,

Sali Berisha!”– shkruan ish-kryeministri.