Vendosni fjalën kyçe....

“Koha të rikthejmë demokracinë në vend”- Meta homazhe te busti i Azem Hajdarit, pyetet për debatet në PD


Presidenti i vendit Ilir Meta në këtë ditë të shënuar bëri homazhe pranë shtatores së Azem Hajdarit.

Në një mesazh të shkurtër për mediet, Meta dha mesazhin që Shqipëria dhe shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre, për të vijuar me procesin e integrimit drejt BE-së.

“Ishte një detyrim për të qenë sot këtu në këtë shtet të Qytet Studenti, shesh të Demokracisë, Në këtë shtet ku thirrjet ‘liri-demokraci’ pushtuan për herë të parë në Shqipëri, së bashku me moton; ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Jam këtu për të nderuar lëvizjen studentore, në mënyrë të veçantë udhëheqësin e paharruar, Azem Hajdarin, i cili pati rol kyç, vullkanizues në ato momente dhe gjithë studentët e tjerë. Ata që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë, si Arben Brozi. Të gjithë ata që nuk i kanë tradhtuar idealet e dhjetorit, të pluralizmit politik. Tani është koha, për në thirrje tjetër ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa dhe ta kthejmë në shinat e vërteta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Të garantojmë të ardhmen Evropiane larg pikëpyetjet dhe arsyetimeve boshe.”-tha Meta.

Ai u pyet nga gazetarët e pranishëm edhe mbi debatet në Partinë Demokratike dhe ndarjen e kësaj force politike në dy kampe, por ai zgjodhi të mos komentonte duke u shprehur: “Nuk jam këtu për t’u marrë me çështje të tilla. E rëndësishme është liria, demokracia, pluralizmi politik të kthehen në shinat e duhura, së bashku me të ardhmen europiane. Vota e lirë, gjthëpërfshirja mbeten vendimtare në këtë proces. Në fund fare, liri demokraci. Jo më vonë por tani! (Tha në fund, duke bërë me dy gishta)”.

Meta u pyet edhe në lidhje me hapin e radhës që do të ndërmarrë Presidenca në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për mos shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Por edhe për këtë çështje ai zgjidhi të mos bënte shumë komente, duke u shprehur se i qëndron deklaratës së djeshme dhe se do ketë kohë në vazhdimësi për t’iu përgjigjur pyetjeve për këtë çështje.

“Nuk dua këtë moment ta shfokusoj me çështje të tjera. Do të jem në dispozicionin tuaj për këtë çështje që ju të më bëni pyetje. Por do dëshiroja që të përqendrohemi te qëndrimi zyrtar i Presidencës të shpallur dje. Do kemi kohë nuk do i shmangemi pyetjeve tuaja.”- tha Meta, i cili më pas bëri edhe një thirrje për studentët duke thënë se ata duhet të marrin në dorë udhëheqjen e proceseve demokratizuese në Shqipëri.

“Përshëndetje më të përzemërta për banorët e Qytet Studentit dhe studentëve. Ne presim shumë prej tyre. Ata duhet të marrin në dorë udhëheqjen e proceseve demokratizuese në Shqipëri. Guximi i tyre, përgjegjshmëria e tyre për të ardhmen janë të pazëvendësueshme. Do të kenë mbështetjen time në çdo kohë.”- tha Meta.