Vendosni fjalën kyçe....

A e keni menduar dorëheqjen? Basha: Nuk kam arsye pse të tradhtoj besimin e demokratëve vetëm pse u shpall Berisha “non grata”


Kryedemokrati Lulzim Basha foli sot në një intervistë për televizionin “News 24” lidhur me zhvillimet e fundit në PD, ku theksoi se Kuvendi Kombëtar do të mbahet në datën 18 Dhjetor sipas statusit të partisë.

Në fund të intervistës, Basha u pyet nga gazetarja Nisida Tufa nëse e ka menduar ndonjëherë doreheqjen, por përgjigja që kryedemokrati dha la të kuptohej se jo. Ai tha se nuk mund ta tradhëtojë besimin që i kanë dhënë demokratët që e kanë zgjedhur vetëm sepse Berisha është shpallur “non grata”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar që nga momenti kur 85% e anëtarësisë ka votuar një anëtarë një votë dhe më ka besuar t’i udhëheq në betejën kundër një regjimi që masakroi votën e shqiptarëve përveç shpalljes së zotit Berisha ‘non grata’ dhe unë nuk kam asnjë arsye se pse për shkak të shpalljes së zotit Berisha ‘non grata’ të tradhtoj besimin, të tradhtoj besimin e demokratëve, të tradhtoj besimin e shqiptarëve të cilët te Partia Demokratike shohin shpresën e vetme, alternativën e vetme për të ardhmen, për luftën kundër korrupsionit, për luftën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ndarjen e politikës nga krimi, për dhënien në fund të kulturës së pa ndëshkueshmërisë dhe për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve. Përkundrazi jam më i motivuar se kurrë në veçanti tani që shoh interesa që përputhen të një grushti njerëzish të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm e vetëm që ta mbajnë Shqipërinë plaçkë të interesave të tyre.

Nuk mund të jetë Shqipëria plaçkë e interesave të aktorëve, të dy tre aktorëve të tranzicionit 30-vjeçar. 18 dhjetori ka dhe një simbolikë tjetër do të jetë dhe një moment transformues, jo thjesht për Partinë Demokratike por për Shqipërinë pikërisht për t’i dhënë fund këtij tranzicioni për t’i dhënë fund këtij mentaliteti të një grushti politikanësh që kanë 30 vjet që e trajtojnë Shqipërinë si plaçkën e tyre dhe jo siç është dhe duhet të jetë dhe si meriton të jetë, shtëpia e çdo shqiptari me mundësi për një jetë normale, me mundësi për një jetë të mirë me mundësi për dinjitet për çdo shqiptar.”– deklaroi Basha.