Vendosni fjalën kyçe....

Finlanda regjistron rastin e parë të terrorizmit të dyshuar të së djathtës ekstreme


Pesë burra janë arrestuar pasi dyshohet se kishin planifikuar sulme me armë dhe bomba në atë që policia finlandeze beson se është rasti i parë i terrorizmit të ekstremit të djathtë në historinë e vendit.

Anëtarët e grupit, i cili vepronte në qytetin jugperëndimor të Kankaanpää, u arrestuan në fundjavë, pasi ishin nën vëzhgim për dy vjet. Të premten, gjykata vendosi që ata të mbeten në paraburgim.

Të dyshuarit janë të moshës ‘rreth 25 vjeç’ dhe shumica prej tyre kanë precedentë të mëparshëm penalë, tha policia në një deklaratë. Armët e municionet të cilat mund të përdoreshin për të bërë eksplozivë, u sekuestruan në bastisje.

Materialet ekstremiste të gjetura midis sendeve të sekuestruara dhe materiale të tjera të zbuluara gjatë hetimit ‘përforcojnë përshtypjen se ata janë radikalizuar dhe japin arsye për të dyshuar për vepra terroriste’, thuhej në deklaratë.

Policia nuk zbuloi objektivat që të arrestuarit kishin planifikuar të sulmonin, por tha se ata kishin vepruar në mënyrë të pavarur nga ndonjë organizatë e madhe e ekstremit të djathtë. Ata janë duke u hetuar për përfshirje në terrorizëm, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje të rëndë.