Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthimi i vullkanit në Indonezi, shkon në 14 numri i viktimave


Ka shkuar në 14 numri i viktimave nga shpërthimi i vullkanit Semeru në ishullin Java në Indonezi. Shifrat janë konfirmuar këtë të dielë nga agjencia e fatkeqësive të Indonezisë, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë viktimat nën shtresat e hirit.

Semeru, i cili është mali më i lartë në Java, shpërtheu të shtunën duke mbuluar fshatrat e afërta në në hi dhe njerëzit nxituan të largoheshin në panik.

Siç shkruan Reuters, shpërthimi shkatërroi ndërtesa dhe shkëputi një urë strategjike që lidh dy zona në rrethin e afërt të Lumajang me qytetin e Malang.

Një zyrtar tha në një konferencë shtypi të dielën vonë se 14 persona ishin vrarë, nëntë prej të cilëve janë identifikuar dhe 56 persona kanë pësuar lëndime, shumica prej tyre djegie.

Ndërkohë rreth 1 mijë e 300 njerëz janë evakuuar, ndërsa nëntë persona mbeten të pagjetur.

Taufiq Ismail Marzuqi, një banor në rrethin e Lumajang, i cili kishte dalë vullnetar për të ndihmuar, i tha Reuters se përpjekjet e shpëtimit ishin “shumë të vështira” për shkak të urës së prerë dhe vullnetarëve pa përvojë. Në një video që ai regjistroi, zyrtarë policorë dhe ushtarakë u panë duke gërmuar me duar të zhveshura dhe pa pajisjet e duhura.