Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa i ndan socialistët në tre kategori, Felaj e kritikon: Fjalë të pahijshme nuk mund të përdoren në Kuvend pse përdoren në spektakle humori


Deputetja dhe zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa i ka ndarë sot socialistët në tre kategori, gjatë fjalimit të saj në Parlament: Patronazhistë, pasionarë dhe pasionare si dhe pastërtorë.

Por kjo gjë nuk i ka pëlqyer zv.kryetares së Parlamentit, Ermonela Felaj e cila i ka tërhequr vëmendjen.

“Këtë mazhorancë në fakt unë e kam ndarë në tre kategori. Patronazhistë, pasionarë dhe pasionare dhe kategoria e tretë, pastërtorë. Dhe shkurt siç ju pëlgjen edhe juve jeni PPP.

Në kategorinë e parë të patronazhistëve keni spiunin modern në shembullin e partisë shtet për të cilën keni aq shumë nostalgji, modelin që ju adhuroni, mënyrën se si doni të sundojë ligji në këtë vend ku diktatori i radhës është vetë Zot dhe vetë shkop.

Në kategorinë e dytë, pasionarë dhe pasionare e kam klasifikuar duke u niaur nga një personazh që ndoshta e mbani mend, i luajtur me mjeshtëri nga Marjana Kondi e cila quhej Pasionare Llapa në Portokalli. Dhe pasionarët dhe pasionaret e kësaj qevere, vijnë këtu e flasin për qeverisje më të mirë, për arritjet që nuk i ka parë historia, për zhvillim dhe pastrim parash, për ligje të mrekullueshme. Faleminderit qeverisë, faleminderit ministres dhe është ndoshta kategoria më pak e rrezikshme por edhe më e pështirë.

Kategoria e tretë janë ata që unë i kam quajtur pastërtorët. Janë pikërisht ata që japin bekimin për të pastruar paratë e pista në këtë vend. Janë ata qëë bëjnë korrupsionin më të madh. Janë ata, pastërtorët peshqit më të mëdhenj. Janë të njëjtit peshq që sot na kanë sjellë ligjin në Parlament, që duhej të ishin subjekt i këtij ligji. Ligji nuk do të kishte kuptim nëse ata që janë mjeshtër i pastrimit të parave, të mos jenë subjekt i hetimit të këtij ligji.”- tha Zhupa gjatë fjalimit të saj në Foltoren e Kuvendit.

Ky fjalim i Zhupës nuk i pëlqeu Felajt, e cila i tërhoqi vëmendjen duke thënë se fjalë të pahijshme nuk mund të përdoren në Kuvend.

“Desha t’ju kujtoj gjithmonë në respekt të Kodit të Etikës dhe sjelljes në Kuvend, që fjalë dhe shprehje të pahijshme, pse përdoren në spektakle humori nuk mund të përdoren edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Do të ishte në nderin tuaj si grua dhe si zonjë, që të mos i kundërdrejtoheni asnjë gruaje dhe asnjë zonjë brenda kësaj salle në të gjitha anët që mos ti drejtoni fjalën që përdorët pak më parë në fjalimin tuaj.”– tha Felaj.