Vendosni fjalën kyçe....

Balluku takon Sekretaren e Departamentit Amerikan të Energjisë: Diskutuam mbi progresin e Shqipërisë (FOTO)


Këtë të shtunë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me Sekretaren e Departamentit Amerikan të Energjisë, Jennifer Granholm.

Takimi mes Ballukut dhe Granholm u zhvillua në Poloni, ku ministrja shqiptare po qëndron për pak ditë, në kuadër të Ministerialit të Bashkëpunimit Transatlantik të Energjisë dhe Klimës.

Balluku bën me dije në një postim në rrjetet sociale, se me Sekretaren Granholm diskutoi mbi progresin e Shqipërisë në drejtim të reformimit: qoftë në sektorin energjetik, ashtu dhe në drejtësi apo për përmirësimin e klimës së biznesit.

 “E nderuar të zhvilloja një takim të gjatë dhe konstruktiv me Sekretaren e Departamentit Amerikan të Energjisë, Jennifer Granholm, ku diskutuam gjerësisht mbi progresin e Shqipërisë në drejtim të reformimit qoftë në sektorin energjetik, ashtu dhe në drejtësi apo për përmirësimin e klimës së biznesit. Rikonfirmuam angazhimin e ndërsjelltë për bashkëpunim të ngushtë dhe të koordinuar, si dhe shqyrtuam mundësitë për projekte të reja të përbashkëta dhe në sektorë energjetik avantgardë.”- shkruan ministrja Balluku.

Ministeriali i Bashkëpunimit Transatlantik të Energjisë dhe Klimës (P-TEÇ) i zhvilluar në Poloni u organizua nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë.

Nisma P-TEÇ u krijua si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore për sigurinë e energjisë dhe kalimin në ekonomi të pastra, neutrale ndaj karbonit.