Vendosni fjalën kyçe....

Gjigantët e energjisë përballen me makthin ‘e gjelbër’ prej 3.3 trilionë dollarësh


Firmat më të mëdha ndërkombëtare të naftës dhe gazit humbën asete me vlerë 150 miliardë dollarë vitin e kaluar, kur çmimet ranë për shkak të rënies së kërkesës gjatë pandemisë.

Përkundër faktit se çmimet e naftës për këtë vit janë gati dyfish në krahasim me mesataren e vitit 2020, industria e energjisë përballet me dëmtime shtesë në vitet dhe dekadat e ardhshme, këtë herë për shkak të presionit të investitorëve për të ulur emetimet dhe për të filluar llogaritjen e ndryshimeve në kërkesën për energji, teksa kalohet në burime me nivel të ulët të cllirimit të karbonit.

Të gjitha industritë janë nën presion për të riorganizuar praktikat e tyre të kontabilitetit dhe financimit me rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike, por jo më shumë se kompanitë e mëdha në sektorin e energjisë, biznesi kryesor i të cilave vazhdon të jetë nafta, gazi dhe qymyri.

Rritja e kontrollit dhe presionit mbi kompanitë nga investitorët dhe shoqëria, si dhe pasiguritë mbi kërkesën afatgjatë për lëndë djegëse fosile, mund të lënë të bllokuara asetet që aktualisht vlerësohen në triliona dollarë amerikanë në të ardhmen.

Studimet e fundit kanë sugjeruar se më shumë se gjysma e rezervave të naftës dhe gazit duhet të mbeten në tokë nëse bota do të përpiqet të kufizojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale deri në vitin 2050.

Çmimet e karbonit dhe rregulloret shtesë për të kufizuar emetimet e karbonit mund të bëjnë një numër më të madh të aseteve të lëndëve djegëse fosile – veçanërisht qymyrin – joprofitabile pasi qeveritë, veçanërisht në vendet e zhvilluara, kërkojnë që ekonomitë të jenë me emetime neto zero deri në vitin 2050.

Bizneset janë duke pritur për hollësi mbi tregjet e karbonit dhe rregullat e emetimit të karbonit dhe, potencialisht, taksat e karbonit, përpara se të rivlerësojnë asetet e tyre, thonë analistët për The Wall Street Journal.

“Taksat për karbonin ka të ngjarë të vijnë dhe ato do të shndërrojnë sektorin e rrjedhës së sipërme, duke ndikuar si në vlerat e aseteve ashtu edhe në ekonominë e industrisë,” thanë analistët e WoodMac në fillim të këtij viti.

Me taksat dhe çmimet e karbonit, më shumë rezerva dhe operacione të kompanive të energjisë, jo vetëm në sektorin e rrjedhës së sipërme, mund të lihen si ‘asete të bllokuara’.

Firmat energjetike përballen me triliona asete të bllokuara deri në vitin 2050

Në raportin e saj “Perspektiva e Shndërrimit Botëror të Energjisë: 1.5°C” nga qershori 2021, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA) përsëriti vlerësimet e saj nga dy vjet më parë.

“Vonesat e veprimit mund të shkaktojnë që kjo vlerë të rritet në 6.5 trilion dollarë deri në vitin 2050 – pothuajse dyfish. Planifikimi paraprak gjithashtu mbështet një tranzicion të drejtë, duke ndihmuar në rialokimin dhe krijimin e vendeve të punës dhe shërbimeve,” sipas IRENA.

Vitin e kaluar, vetëm firmat më të mëdha të naftës dhe gazit në Amerikën e Veriut dhe Evropë shënuan mbi 150 miliardë dollarë ulje nga vlera e aseteve të tyre, më e larta që nga të paktën viti 2010 dhe që përfaqëson rreth 10% të kapitalizimit të kombinuar të tregut të kompanive, sipas një analize nga Wall Street Journal që u shfaq në dhjetor.

Rivlerësimi i aseteve të naftës dhe gazit ishte aq i përhapur sa edhe ExxonMobil – e cila, deri vitin e kaluar, nuk e kishte rregulluar vërtetë vlerën e aseteve të saj për shumë vite – paralajmëroi për fshirje masive prej 17 miliardë deri në 20 miliardë dollarë pas taksave. në tremujorin e katërt në asetet e saj të gazit në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Argjentinë, për shkak të pandemisë dhe efektit të saj në industri. TotalEnergies madje përdori ‘asetet e bllokuara’ në kualifikimin e projekteve kanadeze të naftës në Fort Hills dhe Surmont..

Ndërsa zhvlerësimet e vitit 2020 ishin rezultat i drejtpërdrejtë i rënies së çmimeve që çuan në uljen e vlerës së aktiveve, zhvlerësimet e ardhshme ka të ngjarë të shkaktohen nga rreziqet e lidhura me klimën, thonë analistët dhe grupet e mendimit.

Jo të gjitha asetet do ta kalojnë shqyrtimin për të qenë elastik dhe fitimprurës në një botë që do të ketë ende nevojë për naftë dhe gaz, por synon të kufizojë ndjeshëm emetimet e lidhura me energjinë.

Rreziku afatgjatë i aseteve të bllokuara

Nëse 60 kompanitë më të mëdha të listuara në botë të naftës dhe gazit vazhdojnë me një qasje biznesi si zakonisht, më shumë se 1 trilion dollarë investime janë në rrezik, duke përfshirë 480 miliardë dollarë në projekte të naftës argjilore dhe 240 miliardë dollarë në atë në ujëra të thella, tha në një raport në shtator nga instituti financiar Carbon Tracker.

“Kompanitë dhe investitorët duhet të përgatiten për një botë me çmime më të ulëta afatgjata të karburanteve fosile dhe një industri më të vogël të naftës dhe gazit, dhe të njohin tani rrezikun e aseteve të bllokuara që kjo krijon,” tha Mike Coffin, shefi i ‘Carbon Tracker’ për Naftën, Gazin e Minierat.

Sipas një studimi të fundit të studiuesve nga Kolegji Universitar i Londrës (UCL), gati 60% e naftës dhe gazit fosil të metanit dhe pothuajse 90% e qymyrit duhet të mbeten në tokë deri në vitin 2050 në mënyrë që të mbahet ngrohja globale nën 1.5 gradë Celsius.

Gjetjet, të publikuara në ‘Nature’ në shtator, bazohen në një probabilitet prej 50% për të kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë Celsius këtë shekull. Kjo do të nënkuptonte se arritja e këtij objektivi do të kërkonte një rënie edhe më të shpejtë të prodhimit dhe më shumë lëndë djegëse fosile të mbetura në tokë, thonë studiuesit e UCL.

Megjithatë, bota do të ketë nevojë për naftë dhe gaz për dekadat e ardhshme. Presioni për të llogaritur rrezikun e lidhur me klimën ndaj aseteve mund të sjellë miliarda zhvlerësime të aseteve në industrinë e energjisë çdo vit dhe të lërë të bllokuara asetet e karburanteve fosile me vlerë triliona dollarë.

“Vetëm disa vite më parë, pak në industrinë e naftës dhe gazit do pranonin idetë e rrezikut të klimës, kërkesës maksimale, aseteve të bllokuara, modeleve të biznesit të likuidimit e kështu me radhë. Sot, kompanitë po ndërtojnë strategji rreth këtyre ideve,” tha Luke Parker, zv.presidenti në ‘Ëood Mackenzie’ vitin e kaluar, duke komentuar reduktimet masive në Shell dhe BP.

“Kërkesa mund të rritet ende dhe shumë kompani janë ende duke ndjekur një pjesë të kësaj rritjeje. Por mos u gaboni, peizazhi i korporatës po ndryshon dhe kompanitë kryesore po ndryshojnë bashkë me të.” – theksoi ai.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani